Sezoni i vjeljes së ullirit është në kulm, ndërsa pritshmëritë për këtë vit janë pozitive.
Në Kaninë, por edhe në fshatra të tjerë të qarkut, pemët e ullirit po japin një prodhim që, sipas fermerëve, pritet të jetë më i lartë krahasuar me dy vitet e fundit.
Puna nis që në mëngjes. Me rrjeta të shtruara poshtë pemëve dhe mjete të posaçme për shkëputjen e kokrrave. Ullinjtë mblidhen, pastrohen nga gjethet dhe degëzat, vendosen në arka dhe transportohen drejt pikave të grumbullimit ose drejtpërdrejt në fabrikat e përpunimit.
Në fabrikë, ullinjtë kalojnë në makineritë e bluarjes, përzierjes së masës dhe centrifugimit, ku ndahet vaji nga uji dhe mbetjet e ngurta. Në fund, produkti filtrohet ose lihet të dekantohet, për t’u bërë gati për ruajtje dhe tregtim.
Për fermerët, çdo litër vaj përfaqëson jo vetëm mundin e një sezoni, por edhe të ardhurat e një viti të tërë. Në tregun vendas, çmimi i një litri vaj ulliri varion nga 800 deri në 1000 lekë, në varësi të cilësisë, mënyrës së prodhimit dhe sasisë së shitjes.
“Përtej kostove të larta, mungesës së fuqisë punëtore dhe konkurrencës në treg, sezoni i ullirit vendas po lulëzon. Ullinjtë shekullorë që shtrihen përreth qarkut të Vlorës, kryesisht në Kaninë, po japin produktin më të mirë krahasuar me dy vitet që lamë pas”.
Një prej vështirësive më të mëdha mbetet gjetja e fuqisë punëtore. Për të përballuar këtë situatë, fermerët po kërkojnë punëtorë edhe jashtë qarkut. Interesant është fakti se në ullishtet e Vlorës këtë sezon kanë mbërritur edhe punëtorë nga Korça, të cilët angazhohen për vjeljen e ullinjve.
Pavarësisht angazhimit të madh dhe kostove të punës, fermerët thonë se ky aktivitet mbetet fitimprurës, sidomos në një sezon kur prodhimi pritet të jetë i bollshëm.
Ndër varietetet që i japin identitet Vlorës në këtë treg, spikat Kalinjoti dhe Agridhia. Varietete autoktone, të lidhura ngushtë me traditën bujqësore të zonës, të vlerësuara për karakteristikat e tyre dhe potencialin për prodhimin e vajit cilësor. Tradita shumëvjeçare e kultivimit e bën vajin e kësaj treve të veçantë.
Megjithatë, as ky sezon nuk ka kaluar pa sfida. Thatësira dhe mungesa e reshjeve kanë dhënë ndikimin e tyre në zhvillimin e ullinjve, duke shtuar shqetësimet e fermerëve për nevojën e ujitjes dhe përballimin e kushteve klimatike.
Në një kohë kur produktet vendase përballen me konkurrencën e importit dhe kostot e prodhimit vijojnë të jenë të larta, ulliri mbetet një prej pasurive më të rëndësishme bujqësore të Vlorës.
Deri në fund të dhjetorit, mes aromës së ullinjve të sapovjelë dhe zhurmës së makinerive në fabrikat e përpunimit, një traditë shekullore vazhdon të japë frytet e saj. Për fermerët, sfida nuk është vetëm të prodhojnë më shumë, por edhe të sigurojnë që ky produkt të vlerësohet dhe të shitet me çmimin që meriton.
