Nga janari i vitit 2027 të gjitha bizneset e vogla me xhiro mbi 5 milionë lekë do të futen në regjimin e “Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, dhe do të lëshojnë fatura të fiskalizuara me TVSH si të gjithë subjektet e mëdha.
Vendimi i qeverisë tashmë është zyrtarisht në fuqi pasi është publikuar në fletoren zyrtare, dhe pritet të nisë zbatimin nga janari i vitit që vjen.
Prej 2021 bizneset me xhiro deri 10 milionë lekë në vit nuk kanë qenë pjesë e TVSH-së, ndërsa këtë ulje qeveria e ka argumentuar si lëvizje për të luftuar informalitetin.
“Ulja e kufirit minimal të regjistrimit synon rritjen e formalizimit të aktivitetit ekonomik dhe krijimin e një kuadri fiskal më gjithëpërfshirës dhe transparent, nëpërmjet formalizimit të mëtejshëm të zinxhirit të transaksionit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe zgjerimit të mëtejshëm të bazës së tatimpaguesve”, thuhet mes të tjerash në relacion.
Kryeministri Edi Rama deklaroi javën e kaluar se kjo kategori biznesesh po përdoret nga subjektet e mëdha për evazion fiskal.
Nga kjo ulje e pragut preken 17 biznese që do të futen në skemën e TVSH-së, e cila do të jetë 21% nga viti 2027. Ekspertët vlerësojnë se pavarësisht synimit pozitiv për uljen e evazionit, kjo ulje e pragut do të rrisë presionin për të rritur çmimet për konsumatorët.
