Një nga drejtuesit e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, është Genti Ibraimi. Ai prej disa muajsh drejton Këshillin e Lartë të Prokurorisë duke ardhur nga një aktivitet i gjatë në fushën private dhe atë të ekspertizës juridike në vend. Për rrjedhojë Ibraimi mund të konsiderohet një nga njerëzit më të pasur të institucioneve të reja të drejtësisë, teksa deklaron se zotëron një vilë 2 kate plus nënçati me sipërfaqe 238 metra katrorë me vlerë 237.500 euro, raporton tirananews.al. Si burim për të ai deklaron të ardhurat nga trashëgimia nga prindërit dhe të ardhurat nga puna.
Po ashtu ai deklaron se zotëron një apartament 128 m2 me vlerë 62.700 euro dhe si burim për të raporton të ardhurat nga shitja e apartamentit të mëparshëm. Po ashtu Genti Ibrahimi deklaron se zotëron automjet Mercedes-Benz GLK me vlerë 30.000 euro, një llogari rrjedhëse në shumën 304.308 lekë, një llogari rrjedhëse në shumën 8.814 euro, një tjetër llogari bankare në shumën 125.000 euro, të siguruar nga të ardhurat nga shitja e disa pronave të prindërve. Po ashtu ai deklaron një depozitë bankare me vlerë 7.823 euro. Ndërsa si të ardhura ka raportuar: të ardhurat nga paga dhe honoraret si i punësuar nga Instituti i Studimeve Ligjore në shumën 334.400 lekë, 5.760 dollarë, 7.030 euro, të ardhurat nga paga e bashkëshortes nga puna në Ambasadën e SHBA-ve në shumën 1.979887 lek, të ardhura nga kontrata e qerasë në shumën 3.000.000 lekë dhe 35.000 euro dhuratë nga prindërit. Ndërsa bashkëshortja e tij përveç pagës së mësipërme deklaron se zotëron një apartament banimi me sipërfaqe 75 m2 me vlerë 7.500.000 lekë dhe një automjet tip “Pugeot 308”blerë për 18.800 euro.
