Inteligjenca Artificiale në procesin e numërimit të votave në zgjedhjet lokale të 9 majit, 2027. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë e testimit të kësaj teknologjie në dy KZAZ, një në Tiranë dhe një në një bashki më të vogël.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka bërë të ditur se aplikimi i Inteligjencës Artificiale do të ketë karakter eksperimental dhe do të shërbejë për të testuar mundësitë që ofron kjo teknologji në procesin e numërimit të fletëve të votimit. Ai theksoi se rezultatet e përftuara nga ky test nuk do të kenë asnjë vlerë ligjore dhe nuk do të ndikojnë në rezultatin zyrtar të zgjedhjeve.
Sipas Celibashit, synimi është që përmes këtij projekti të vlerësohet potenciali i Inteligjencës Artificiale, me qëllim që në të ardhmen përdorimi i saj të mund të shtrihet në mënyrë më të gjerë në proceset zgjedhore.
“Kjo çështje të administrohet dhe të adresohet përmes akteve rregullatore. Mund të mos ekzistonte fare një dispozitë e tillë në Kodin Zgjedhor, si për zgjedhjet lokale dhe ato vendore. Aktorët politikë duhet të kenë ndërgjegjësimin se si duhet të sillen me procesin.
Duhet të marrin masa rregullatore dhe të shkojnë në atë që ka sugjeruar dhe rekomanduar OSBE/ODIHR në zgjedhjet e fundit. Një proces i mirëadministruar ka rezultate dhe integritet më të lartë të këtij procesi zgjedhor. Po synojmë që të aplikojmë edhe në këto zgjedhje përdorimin e Inteligjencës Artificiale në përdorimin dhe numërimin e fletëve të votimit. Rezultatet e këtij projekti nuk janë konkurruese me atë që parashikon ligji.
Aplikimi i Inteligjencës Artificiale do të jetë një test teknik, por nuk do të ketë asnjë vlerë ligjore në rezultatet. Duam që ta bëjmë dhe për të parë se si në të ardhmen ne mund të shohim se si mund ta shohim gjerësisht dhe në mënyrë përfundimtare të Inteligjencës Artificiale. Kemi menduar që ta aplikojmë inteligjencën artificiale në dy KZAZ, një në Tiranë dhe një në një bashki më të vogël”, tha Celibashi.
