Ministri i Brendshëm Ervin Demo, në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të mbrojtjes sot më 4 nëntor foli edhe për reformën zgjedhore.
Demo deklaroi se zgjedhorja do të ketë impakt pozitiv në periudhë afatgjatë. Pranoi se viti 2027 do të jetë një vit sfidues për pushtetin lokal.
“Siç ne edhe e dimë, pjesë e Ministrisë së Brendshme është edhe pushteti vendor. Duke marrë parasysh që parlamenti ka kaluar reformën e re territoriale, besoj se viti 2027 do jetë një vit sfidues për reformën territoriale në tërësi. Mbështetja për këtë sektor është e garantuar edhe në këtë vit, ku ne në total kemi 114 miliardë lekë, me një rritje 2.4 përqind krahasuar me vitin 2026. Në të gjithë treguesit financiarë të pushtetit vendor, ne vazhdojmë që të kemi një rritje progresive, por ajo që është më e rëndësishme është mbështetja për disa nga reformat kryesore, që do i bashkohen reformës territoriale. Digjitalizimi do të nisë implementimin në disa nga bashkitë e vendit, duke nisur nga Bashkia e Tiranës.
Do të ketë një sistem për të kuptuar sesi është situata financiare në çdo bashki të vendit dhe për të parë më mirë sesi është gjendja dhe për t’ju ardhur në ndihmë vetë bashkive. Ne po bashkëpunojmë me një sërë partnerësh ndërkombëtarë. Ne e dimë sesa sfiduese është faza e parë e tranzicionit për pushtetin vendor. Reforma do të ketë efekte pozitive të shtrira në kohë. Ne duam që 2027-ta të jetë një vit që të eci me shpejtësi sa i përket konsolidimit të bashkive të reja dhe që të jenë gati për planifikimet që ata kanë për vitin 2028”, tha Demo.
Më tej, ministri u shpreh se në buxhetin e vitit 2027 është paraparë rritje e buxhetit për Policinë e Shtetit.
Demo nënvizoi se prioritet i Ministrisë së Brendshme mbetet siguria e qytetarëve në rrugët dhe në qytetet e vendit.
““Ne rezultatet i masim me aftësinë për të ndaluar kriminalitetin, për të pasur siguri në shkolla, në reagimin në kohë ndaj shqetësimeve të qytetarëve, me profesionalizmin e forcave të policisë dhe mbi të gjitha me besimin që qytetarët kanë tek institucionet e sigurisë. Një polici e fortë është një polici që zbaton ligjin, mbron qytetarin dhe respekton të drejtat e tij.
Buxheti 2027 bën që të rritet mbështetja edhe për Policinë. Qytetarët presin siguri në qytetet dhe rrugat tona. Ne si Ministri e Brendshme jemi të mbështetur tek shërbimet më të mira ndaj qytetarëve dhe të fitojnë respektin e qytetarëve sa i përket sigurisë në vend”, deklaroi Demo.
