Hungaria ka hapur për publikun dosjet e policisë sekrete të periudhës komuniste, në një vendim të debatueshëm që qeveria thotë se do t’i ndihmojë shoqërisë hungareze të përballet me traumat e 45 viteve të regjimit komunist.
Megjithatë, kritikët e kësaj nisme argumentojnë se vendimi vjen shumë vonë, se dokumentet janë të paplota dhe se publikimi i tyre rrezikon të nxisë përçarje dhe të shkaktojë vuajtje të panevojshme për familjarët e personave të përfshirë.
Data e publikimit ka një domethënie të veçantë historike. Më 4 nëntor 1956, tanket sovjetike hynë në Budapest dhe qytete të tjera të Hungarisë për të shtypur revolucionin jetëshkurtër kundër regjimit komunist.
“U kërkoj të gjithëve që ta trajtojnë me dinjitet dhe njerëzi këtë publikim të dokumenteve, i cili është vonuar prej kohësh”, deklaroi kryeministri Péter Magyar para gazetarëve në Arkivin Shtetëror në Budapest.
“Shumë familje tani do të përballen me informacione të vështira, shpesh të lidhura me një të afërm të ndjerë. Është e pamundur të përballosh një traumë pa diskutuar dhe pa bërë pyetje”, shtoi ai.
Magyar mbrojti vendimin, i cili ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së tij elektorale përpara fitores së thellë në zgjedhjet e prillit. Sipas tij, ky hap përmbush një premtim të bërë nga ata që rrëzuan Partinë Komuniste në Hungari në vitin 1989.
Gjatë dekadave që pasuan, qeveri konservatore, socialiste-liberale dhe ato të drejtuara nga Fidesz e kanë shqyrtuar mundësinë e hapjes së dosjeve, por në fund kanë vendosur të mos e ndërmarrin këtë hap.
Që prej vitit 1998, qytetarët kanë pasur mundësi të aplikojnë për të parë dosjet e tyre personale, ndërsa historianët kanë mundur të studiojnë edhe dosjet e personave të tjerë. Megjithatë, shumë emra janë mbuluar dhe një numër i madh dokumentesh janë mbajtur të fshehta nga shërbimet sekrete postkomuniste, të cilat i kanë përdorur për interesat e tyre.
Gjatë 36 viteve të fundit, informacionet nga dosjet kanë rrjedhur shpesh në publik, ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme janë përpjekur t’i përdorin ato për të dëmtuar kundërshtarët politikë. Një pjesë e dokumenteve janë asgjësuar gjithashtu, ndërsa Partia Komuniste humbiste kontrollin e vendit gjatë viteve 1988-1989.
Nga kjo e mërkurë, emrat dhe të dhënat personale të rreth 60 mijë personave të rekrutuar nga shërbimet sekrete gjatë komunizmit janë bërë të aksesueshme në faqen zyrtare nyitottaktak.hu.
Një dosje tipike përmban emrin e vërtetë të informatorit, pseudonimin e përdorur, datëlindjen, adresën, emrin e nënës, motivin e rekrutimit, nëse personi ka bashkëpunuar vullnetarisht apo është shantazhuar dhe detyruar, si dhe emrin e oficerit që e drejtonte.
Ndërkohë, një grup tjetër dokumentesh, të njohura si “dosjet B”, po digjitalizohen dhe pritet të publikohen më 25 shkurt.
Këto dokumente do të përmbajnë shumë më tepër detaje mbi procesin e rekrutimit, si dhe mbi rëndësinë dhe vlerën e informacionit që informatorët u përcillnin shërbimeve sekrete.
Pikërisht këtu përqendrohen edhe kritikat ndaj publikimit të dosjeve. Kundërshtarët e nismës paralajmërojnë se qytetarët mund të nxitojnë të gjykojnë personat që do të gjejnë në dokumente, pa kuptuar rrethanat dhe nuancat e bashkëpunimit të tyre.
Sipas vlerësimeve, rreth 150-160 mijë persona janë rekrutuar si informatorë në Hungari gjatë periudhës nga dhjetori i vitit 1944 deri në shkurt të vitit 1990.
Shumë prej tyre janë shantazhuar, përmes kërcënimeve për humbjen e vendit të punës, mundësive për të studiuar, aksesit në medikamente apo publikimit të informacioneve mbi jetën e tyre seksuale dhe varësitë. Edhe në dokumentet që po bëhen publike tani, këto të dhëna intime do të hiqen me kujdes.
Historiani Krisztian Ungváry, i cili prej kohësh ka bërë fushatë për akses të plotë publik në dosje, argumenton se qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë informacionesh ka regjistruar shteti për ta dhe se kjo e drejtë nuk duhet të varet nga vullneti i atyre që janë në pushtet.
Por historiana Zsuzsanna Borvendég, eurodeputete e partisë së ekstremit të djathtë “Atdheu Ynë” (Our Homeland) dhe kundërshtare e kësaj nisme, ka një tjetër qëndrim.
“Në shumicën dërrmuese të raporteve të agjentëve që kanë mbijetuar, nuk është as e mundur të identifikohet agjenti, e jo më motivet e tij”, argumenton ajo.
Publikimi i emrave të informatorëve pa shpjeguar plotësisht rrethanat e rekrutimit dhe aktivitetin e tyre rrezikon të çorientojë opinionin publik, deklaroi Borvendég për mediat hungareze.
