Vëmendja është përqendruar te kryeqyteti spanjoll, ku të dielën në mbrëmje Atletico Madrid dhe Barcelona do të përballen në një sfidë që mund të ndryshojë ekuilibrat në krye të La Liga-s.
Vendasit, të drejtuar nga Diego Simeone, vijnë në këtë takim pas shtatë fitoreve radhazi në kampionat. Fitorja e fundit ishte ajo 2-0 në transfertë ndaj Levantes.
Pavarësisht humbjes në Champions League kundër Bayern Munich, Atletico mban vendin e dytë, vetëm dy pikë larg kreut.
Një sukses kundër Barcelonës do t’i lejonte skuadrës madrilene të parakalonte katalanasit në renditje, ndërsa për Diego Simeonen do të shënonte një arritje historike: fitoren e 345-të në La Liga, që do ta bënte trajnerin e parë që arrin këtë kuotë.
Nga ana tjetër, Barcelona mbërrin në Madrid si kryesuese e kampionatit, pas fitores së thellë 6-1 ndaj Alaves në javën e fundit dhe një tjetër suksesi në arenën evropiane gjatë mesjavës.
Shifrat në sulm të skuadrës katalanase janë mbresëlënëse, 46 gola të shënuar në 11 javët e para të kampionatit, bilanci i dytë më i mirë në historinë e kompeticionit, pas atij të Athletic Club në sezonin 1930-31.
Edhe në transfertë, blaugranët kanë treguar një efikasitet të jashtëzakonshëm, me 22 gola të realizuar.
Bilanci i përballjeve të fundit direkte është në favor të Barcelonës, e cila synon të regjistrojë fitoren e pestë radhazi në transfertë ndaj Atletico Madridit në La Liga.
Një arritje që deri më tani është realizuar vetëm nga Athletic Bilbao dhe Real Madrid.
Një përballje mes dy objektivave të mëdha: nga njëra anë Simeone, në kërkim të një tjetër rekordi historik, dhe nga ana tjetër Barcelona, e vendosur të mbrojë kreun e renditjes.
