Autori i grabitjes së dy bankave të nivelit të dytë në Tiranë, R. B., 50 vjeç, ka deklaruar përpara togave të zeza, se pjesën më të madhe të parave të vjedhura, i ka shpenzuar në kazinotë e kryeqytetit. Bëhet fjalë për mbi 100 mijë euro para të grabitura dy filialet.
Nga 3 mijë euro, 50-vjeçari ia ka dorëzuar dy shokëve të tij në Vlorë. Këta të fundit janë marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe kanë deklaruar se R. B., ua kishte borxh paratë.
Për verifikimin e deklarimeve të mësipërme, policia ka kërkuar informacion nëpër kazinotë e Tiranës nëse 50-vjeçari ishte klient. Pjesë e hetimeve është dhe gjurmimi i parave të grabitura, nëse të tjerë persona kanë përfituar shuma. Ndaj tij, pritet të nisë dhe një hetim pasuror.
Vlerë e madhe parash është gjetur në shtëpinë e 50-vjeçarit në Vlorë ndërsa vetë ai përkohësisht po fshihej në Tiranë në një banesë të marrë me qira. Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij që punon po ashtu në një bankë të nivelit të dytë, ndërsa për shumën e parave që kishin në banesë ajo ka treguar se ishin kursime të mbledhura nga shitja e një banese në kryeqytet.
R. B., rezulton i skeduar dhe në shtetin grek për grabitjen e armatosur të 26 bankave si dhe të supermarketeve në Atikë. Ai akuzohet si pjesë e një organizate kriminale së bashku me tre bashkëkombës të tjerë.
Nga viti 2007 deri në vitin 2010, përfitimet e siguruara nga grabitjet kapnin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove. 50-vjeçari u dërgua në burg, por në vitin 2016 u arratis nga burgu i Tirinthës, së bashku me disa të burgosur të tjerë. Ai qëndroi në arrati për rreth dy vite, deri në vitin 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në shtetin grek në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në vitin 2019, ai u lirua nga burgu me kusht.
Grabitjen e fundit, 50-vjeçari e kreu më dy nëntor në zonën e “Komunës së Parisit” nga ku arriti të merrte 60 mijë euro. Më dy qershor, ai kishte grabitur një tjetër bankë rreth 300 metra më tutje nga kjo e fundit.
Në të dy rastet, R. D., ishte i armatosur, i maskuar dhe me skafandër në kokë. Për tu larguar nga vendngjarja ai përdori një monopatinë elektrike. 50-vjeçari u arrestua dje në zonën e “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë.
