Një skemë mashtrimi me investime të rreme në bursë dhe pastrim parash është zbuluar në Itali, ku 17 persona janë vënë nën hetim nga autoritetet. Operacioni është zhvilluar nga Guardia di Finanza e Leçes, e cila ka sekuestruar pasuri me vlerë mbi 1.3 milionë euro në shtatë provinca italiane.
Sipas mediave italiane, hetimet kanë zbuluar dy skema të ndryshme kriminale. E para lidhej me mashtrimin e qytetarëve përmes investimeve fiktive në tregtimin online. Sipas hetuesve, persona me origjinë shqiptare dyshohet se joshin viktimat me premtime për fitime të larta nga investimet financiare, duke i bindur të transferonin shuma të konsiderueshme parash përmes bankave.
Por investimet rezultonin të rreme. Paratë e përfituara në këtë mënyrë dyshohet se transferoheshin më pas në llogari bankare jashtë Italisë, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre dhe vështirësimin e gjurmimit nga autoritetet.
Skema e dytë lidhej me përdorimin e dy kompanive fiktive, të cilat dyshohet se lëshonin fatura për shërbime që nuk ishin kryer realisht. Këto dokumente përdoreshin për të justifikuar transfertat bankare të disa kompanive që operonin në sektorin e riparimit të automjeteve të dëmtuara nga breshëri.
Sipas rindërtimit të hetuesve, pasi paratë kalonin në llogaritë e kompanive, ato tërhiqeshin në para fizike dhe riktheheshin në dispozicion të grupit të dyshuar. Në këtë mënyrë, dyshohet se realizohej pastrimi i parave dhe shmangia e detyrimeve tatimore.
Sekuestrohen mbi 1.3 milionë euro pasuri
Operacioni është shtrirë në shtatë provinca italiane: Leçe, Bari, Brindizi, Kazerta, Foggia, Napoli dhe Milano.
Me urdhër të gjykatës, autoritetet kanë sekuestruar para, kuota shoqërish, automjete dhe pasuri të paluajtshme, me një vlerë totale që tejkalon 1.3 milionë euro.
Hetimet janë zhvilluar nga Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare e Guardia di Finanza në Leçe, nën koordinimin e Prokurorisë së këtij qyteti.
Çështja është një zhvillim i operacionit të mëparshëm të koduar “Easy Bonus”, të zhvilluar në shkurt të vitit 2024. Analiza e pajisjeve elektronike të sekuestruara dhe gjurmimi i lëvizjeve bankare ndihmuan hetuesit të zbulonin mekanizmat e dyshuar të mashtrimit dhe pastrimit të parave.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se procedimi ndodhet në fazën e hetimeve paraprake dhe se për të gjithë personat nën hetim vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
