Një valë kërcënimesh për sulme me bombë ka përfshirë disa shkolla në Itali dhe Francë, duke detyruar evakuimin e disa institucioneve arsimore. Në Itali, pas marrjes së 1 mijë e 803 e-maileve kërcënuese gjatë mëngjesit të sotëm, qeveria ka kërkuar që procesi mësimor të vijojë normalisht, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye konkrete për të ngritur alarmin.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të Palazzo Chigi-t, selia e qeverisë italiane, sipas të cilave ministrat e Brendshëm dhe të Arsimit kanë ndërhyrë menjëherë pas raportimit të kërcënimeve, duke komunikuar me prefektët dhe drejtuesit e shkollave.
Udhëzimi është që institucionet arsimore të vazhdojnë aktivitetin e tyre normal, ndërsa çdo vendim për evakuim do të merret në bazë të vlerësimit të prefektëve në zonat përkatëse, nëse konstatohen rrethana konkrete që justifikojnë masa sigurie.
Burimet e qeverisë sqarojnë se disa shkolla në Itali u evakuuan menjëherë pas mbërritjes së mesazheve kërcënuese, përpara se drejtuesit e tyre të merrnin udhëzimet zyrtare nga ministrat. Ndërkohë, për pasditen e sotme është parashikuar një mbledhje teknike e CISR-së, ku pritet të shqyrtohet situata.
Ndërkohë, alarmet për bomba janë raportuar edhe në Francë, ku disa institucione arsimore janë evakuuar gjatë ditës së sotme. Sipas mediave franceze, mes tyre Le Parisien, ngjarjet vijnë një ditë pas kërcënimeve të ngjashme të raportuara në disa vende të Evropës, përfshirë Italinë.
Në Marsejë, gjimnazi “Don Bosco” u evakuua rreth orës 07:00 të mëngjesit, pas marrjes së një alarmi për bombë. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ekipet antieksplozivë, të shoqëruara nga një qen i trajnuar për zbulimin e lëndëve shpërthyese.
Një tjetër evakuim u krye në rajonin Jura, ku gjimnazi i Morez-it mori një mesazh kërcënues përmes e-mailit. Për arsye sigurie, u evakuua edhe një shkollë 9-vjeçare që ndodhej pranë tij. Në zonë u angazhuan gjithashtu ekipet antieksplozivë.
Rasti i tretë u regjistrua në qytetin Laon, në departamentin Aisne, ku Instituti Universitar i Teknologjisë u evakuua mëngjesin e sotëm pas një alarmi për bombë.
Autoritetet kanë ndërmarrë masat përkatëse të sigurisë në institucionet e prekura, ndërsa kërcënimet në disa vende evropiane kanë shtuar shqetësimin për sigurinë në shkolla.
