Sezoni i festave ka nisur zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë. Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, mori këtë të hënë bredhin tradicional të Krishtlindjeve, duke shënuar kështu fillimin e përgatitjeve festive në rezidencën presidenciale në Washington.
Bredhi, rreth 5.5 metra i lartë (18 këmbë), është një bredh i bardhë i llojit Concolor Fir, i rritur në fermën familjare “Silent Night Evergreens”, në qytetin Endeavor të shtetit Wisconsin.
Pema mbërriti në Shtëpinë e Bardhë me një karrocë të tërhequr nga kuajt, ndërsa Melania Trump priti në hyrjen veriore të rezidencës presidenciale. E veshur me një pallto me kuadrate të kuqe, Zonja e Parë pozoi pranë bredhit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përzgjedhja e pemës nuk është rastësore. Ferma “Silent Night Evergreens” fitoi konkursin kombëtar të Shoqatës Kombëtare të Pemëve të Krishtlindjeve për vitin 2026.
Pema do të vendoset në Dhomën Blu (Blue Room), një nga ambientet më simbolike të Shtëpisë së Bardhë, ku do të qëndrojë gjatë gjithë periudhës festive.
Ky është një moment tradicional që përsëritet çdo vit dhe shënon nisjen e dekorimit të rezidencës presidenciale për Krishtlindje.
