Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi në intervistën në Klan News iu përgjigj një sërë pyetjesh.
Gazetari e pyeti se përse shteti disponon ujë për protestuesit, por jo për zjarret. Ministri vendosi të përgjigjet veçmas për secilën çështje.
“Për zjarret ka zona ku është e vështirë ndërhyrja. Pjesa më e madhe e zjarreve kanë autorë dorën e njeriut. Kemi avionë për fikjen e zjarreve. Zjarrfikësit kanë luftuar pa ndërprerë gjatë verës dhe të marrësh disa raste sporadike ku situata mund të ketë çaluar, kjo nuk është e drejtë. Nuk është e tmerrshme që dikush të ulet pas betejës me flakët, nëse e keni fjalën për foto të zjarrfikësve që ulen të hanë bukë pas një operacioni të lodhshëm ”, u shpreh Nufi.
Sa i përket protestave, ai theksoi se e drejta për të protestuar është një e drejtë qytetare që, sipas tij, qeveria e ka garantuar, por nënvizoi se kjo nuk duhet të shoqërohet me akte dhune dhe dëmtim të pronës publike apo private.
“Unë besoj se ne si qeveri e kemi garantuar të drejtën për të protestuar. Por kemi qenë dhe jemi kundër dhunës. Janë djegur bizneset e qytetarëve. Të na kujtohet viti 1997 për shkak të këtyre situatave është e pakuptimtë. Patjetër që ka zemërim, por nuk është normale që të dhunohet prona shtetërore dhe private. Zemërimin e mirëkuptoj, por jo dhunën”, deklaroi ministri.
Gjatë intervistës, Nufi foli edhe për planet e Shqipërisë për të nisur prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe municioneve. Ai bëri të ditur se linjat e prodhimit pritet të mbërrijnë brenda këtij viti, ndërsa prodhimi në vend do të nisë vitin e ardhshëm.
“Jemi në një rrugë shumë të mirë. Jemi në përfundim të përgatitjeve për prodhimin e pajisjeve ushtarake. Linjat vijnë këtë vit, prodhimi nis vitin tjetër. Shumë shpejt do të kemi inaugurimin e impianteve. Vitin tjetër fillon prodhimi i municioneve në Shqipëri”, tha Nufi.
Për mbështetjen ndaj Ukrainës, ministri konfirmoi se Shqipëria i ka dhënë ndihmën e premtuar në kuadër të mbështetjes së NATO-s kundër agresionit rus. Ai theksoi se vendi ynë mbështet zgjidhjen paqësore dhe diplomatike të konfliktit, ndërsa shtoi se bashkëpunimi zhvillohet me kompani që janë të njohura publikisht.
Në lidhje me infrastrukturën ushtarake, Nufi u ndal te baza ajrore e Kuçovës dhe ajo e Pashalimanit. Ai tha se Kuçova po kalon një proces modernizimi, përfshirë përmirësimin e kapaciteteve të radarëve, me synimin që të jetë në funksion të NATO-s.
Ndërsa për Pashalimanin sqaroi se aktualisht ka statusin e një baze mbështetëse dhe se krijimi i kapaciteteve të tjera ushtarake kërkon kohë dhe investime.
