22-vjeçari Endrit Azemi, i arrestuar në Kosovë për mashtrim me donacione, ka mohuar se vuante nga leuçemia, sëmundje për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët dhe diaspora, duke mbledhur rreth 190 mijë euro.
Gjatë dëshmisë në Prokurori, ai ka pretenduar se ishte detyruar të kryente mashtrimin nga 23-vjeçari Jon Sadiku, i cili sipas tij kishte organizuar skemën dhe i kishte premtuar 10 mijë euro nga shuma e mbledhur.
Nga ana tjetër, Sadiku i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se e kishte ndihmuar Azemin pasi besonte se ishte i sëmurë. Njëkohësisht, edhe familjarët e 22-vjeçarit janë shprehur se nuk kishin dijeni për mashtrimin.
Nga fushata e bamirësisë u mblodhën gjithsej 189 mijë e 206 euro.
Ndërkohë, llogaritë bankare janë bllokuar, ndërsa paratë e grumbulluara përmes platformës GoFundMe u janë kthyer donatorëve.
