Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora foli edhe për përgjimet e publikuara nga Bild. Sipas tij, përgjimet e dosjes së famshme 339 janë pjesë e gjykimit të drejtësisë.
Klosi tha se zona e Durrësit është një zonë e kontaminuar, duke sjellë edhe problematika të tilla.
Beti Njuma: Zoti Klosi, ju tani jeni zhvendosur drejt Beratit, por për shumë vite keni qenë pjesë e stafit elektoral të Durrësit. I dëgjuat përgjimet e dosjes 339 që publikoi “Bild”. Keni qenë njeri i afërt i Vangjush Dakos?
Blendi Klosi: Janë fushata që bëhen me shumë njerëz me shumë probleme. Unë e kam ndjekur Durrësin nga 2007 dhe kur kam vajtur në 2007 në Durrës, në shumicën e zonave të Shijakut dhe rrethinat e Durrësit ne nuk bënim dot një takim elektoral.
Beti Njuma: Përtej këtyre, a i faktuan ato përgjime që publikoi Bild akuzat e opozitës për shit-blerje votash?
Blendi Klosi: Ato që dolën tek përgjimet dhe çfarë dosja 339 ka, janë pjesë e një gjykimi në organet e drejtësisë. Janë pjesë e disa të vërtetave që janë gjysmë të vërteta dhe aspak të vërteta.
Beti Njuma: Çfarë është aspak e vërtetë, lidhjet e Dakos me Avdylajt?
Blendi Klosi: Lidhjet e zotit Dako me të gjithë njerëzit që e votojnë. Një kryetar bashkie ka një detyrë funksionale, sic e ka një deputet. Ka detyrën të merret të dëgjojë, punojë komunikojë dhe të marrë vota në terren dhe terreni në Durrës ju garantoj është shumë i kontaminuar.
Beti Njuma: Dako i mohoi lidhjet me Avdylaj, ndërkohë unë pashë në FB e Berishës një video ku…
Blendi Klosi: Një nga takimet elektorale apo post elektorale, të cilat janë bërë publike kudo në Shqipëri. Ne kemi ftuar të gjithë njerëzit para dhe pas votimit për të bërë ato drekat e falënderimeve. Por ju them që ambienti të Durrës është i kontaminuar, ambient i cili prodhon problematika.
Beti Njuma: Keni përfituar ju nga ai ambient i kontaminuar në Durrës për shit-blerje votash?
Blendi Klosi: Unë kam vuajtur shumë nga ai kontaminim, ju garantoj për këtë.
Beti Njuma: Gazetari i Bild ka premtuar se do të ketë përgjime të tjera që do ti publikojë, keni frikë nga këto denoncime? Flitet që do të ketë edhe emra të konjukturave të larta të PS të implikuar në shit-blerjen e votës?
Blendi Klosi: Ato janë pjesë e një procesi hetimor tashmë, janë pjesë e një debati publik. Ju garantoj që do gjykohen në varësi të asaj çfarë është ngritur një dallgë e madhe sa vështirë të kuptosh për çfarë flitet.