Në konferencën për shtyp nga ambientet e klubit të Partizanit, aty ku po prezantohet trajneri i ri i të kuqve, drejtori sportiv, Olsi Rama është shprehur se një falënderim i madh shkon për trajnerin Gega që riktheu titullin, ndërsa për trajnerin e ri, shtoi se Lerda ishte profili që bindi më shumë.
“Është kënaqësi që rikthehemi me titullin kampion si kujtim i bukur. Mbyllëm kampionatin me sukses dhe falënderimi i shkon stafit dhe trajneri Gega për kthimin e titullit pas 26 vitesh. Gjithashtu falënderoj stafin teknik dhe lojtarët që erdhën ne fillim dhe u shtuan.
Hapet një sezon i ri dhe histori e re. Pas një rruge të gjatë dhe largimit të trajnerit për arsyet e tij nisëm kërkimet për trajner të ri në Itali dhe më tej. Pamë tregun dhe për shumë arsye që nuk u gjet marrëveshja dhe besimi që ti linim në dorë ekipin kampion dhe profili që bindi më shumë është Lerda.
Është trajner i ri dhe ka bërë mirë në karrierën e vet. Ka trajnuar në Itali te Leçe e Torino dhe ka bërë mirë. E jemi pyetur dhe jemi interesuar. Dëshira e tij për punë është vlerë e shtuar. Ky trajner vjen me bagazh tekniko-taktik dhe duam të rrisë profesionalizmin e të përmirësojë lojtarët. Shpresojmë te jetë zgjedhja e duhur dhe sfida e parë është ajo e Championsit. Direkt do të iki te shorti i Championsit dhe sido të jetë puna do të jetë ndeshje 11-11. Do të japim maksimumin dhe ekipi pas ditës së sotme do niset për Slloveni. Kemi ekip të plotësuar deri diku. Kanë ardhur të rinj dhe do të bashkohen disa të tjerë në Slloveni”, tha Rama.
