Dhjetë deputetë të Parlamentit shqiptar kanë depozituar projektligjin që do t’i ndalojë Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri të studiojë mbi periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, duke i vendosur një kufi “penalizues” dhe duke e ndaluar atë që hulumtojë periudhën përpara 28 nëntorit 1944, që përkon me ditën e çlirimit të vendit.
Ndër firmëtarët është edhe deputeti socialist Spartak Braho, i cili ka pasur përplasje të mëdha me kreun e Institutit, Agron Tufën. Braho e akuzuar këtë institucion si një “fole” të Ballit Kombëtar. Deputetët e tjerë janë Bashkim Fino, Alket Hyseni, Jurgis Çyrbja, Adnor Shameti, Edmond Leka, Damian Gjiknuri, por edhe nga dy deputetët e opozitës Ediola Braho dhe Aurora Mara.
Sipas relatorëve, projektligji propozohet për të saktësuar periudhën e regjimit komunist në Shqipëri në funksion të objektit të ligjit si dhe për të plotësuar kriteret e nevojshme për anëtarët e Bordit dhe punonjësit e Institutit te Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
Sipas draftit, nuk mund të jetë objekt i ligjit periudha e Luftës Nacionalçlirimtare, por pas datës 28 Nëntor 1994. “Objekti dhe qëllimi i ligjit është i lidhur me krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri pas çlirimit të vendit dhe jo me të gjithë periudhën që nga krijimi i forcës politike komuniste antifashiste. Dokumentet historike kanë treguar se Partia Komuniste Shqiptare e themeluar në 8 nëntor 1941 fitoi mbështetje popullore veçanërisht me programin politik dhe me platformën për krijimin e një fronti të gjerë lufte, ku do të merrnin pjese pa dallim të gjitha forcat politike dhe antifashiste të vendit. Partia Komuniste Shqiptare, në programin e saj të shpallur, nuk shtronte kryerjen e revolucionit socialist, diktaturën e proletariatit dhe as shtetëzimin e mjeteve të prodhimit apo luftën e klasave. Ajo shtronte çështjen e çlirimit të vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri. Me luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u arritën objektivat themelore dhe konkretisht çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare”, thuhet në relacionin shpjegues.
Për firmëtarët e kësaj nisme, “regjimi komunist nuk mund të lidhet me periudhën e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), luftë e cila u fitua me gjakun e mijëra dëshmorëve dhe siguroi pavarësinë e vendit”.
“Vetëm pas përfundimit të LANÇ; Fronti Demokratik, ku ishin të përfshirë komunistët, mori në dorë qeverisjen e vendit duke vendosur disa detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundërshtarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i Kushtetutës, reforma ekonomike, etj”, thuhet më tej në relacion.
Certifikata e Sigurisë për Punonjësit
Një tjetër pikë e nxehtë që shkaktoi jo pak përplasje ndërmjet Brahos dhe Tufës, kreut të Institutit, ka qenë fakti se punonjësit e pajtuar nga ky institucion që studion krimet kundër komunizmit, nuk kishin certifikata sigurie. Kjo për mazhorancën përbën problem. Dhjetë nismëtarët kanë hartuar edhe një amendament tjetër të këtij ligji, duke sanksionuar se punonjësit e Institutit duhet të jenë të pajisur me certifikata sigurie, por gjithashtu duke vendosur edhe kritere të tjera që në thelb synojnë edhe largimin e Agron Tufës nga kreu ikëtij institucioni.
Pikërisht propozohet që neni 18, pika 1, ndryshohet si më poshtë: “Nëpunësit dhe punonjësit e Institutit e të arkivit duhet të jenë persona që gëzojnë besueshmëri. Për qëllimet e këtij ligji, i besueshëm është çdo person, i cili ka mbushur moshën madhore përpara datës 8 dhjetor 1990, është pajisur me Certifikatë të Sigurimit të Personelit nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe nuk ka qenë: a) anëtar ose kandidat i PKSH-së a PPSH-së; b) i shkolluar ose nuk ka bërë kualifikime në shkollat e larta politike të sigurimit ose mbrojtjes të Shqipërisë apo të vendeve të Traktatit të Varshavës; c) funksionar i sistemit komunist, pjesëtar i organeve të diktaturës komuniste apo bashkëpunëtor i Sigurimit te Shtetit; 9) anëtar ose bashkëpunëtor i shërbimeve inteligjente të vendeve të Traktatit të Varshavës”. Pikërisht Tufa ka studiuar për Letërsi në Moskë të Rusisë, shteti themelues i Traktatit të Varshavës, organizata kundër NATO-s ku dikur bënte pjesë edhe Shqipëria, e kjo dispozitë duket si një hakmarrje e socialistëve ndaj tij.
