Pas shpërndarjes së mandateve të këshilltarëve nga Kolegji Zgjedhor nesër në orën 11:00 do të konstituohet këshilli i parë bashkiak, i Devollit. Në mbledhjen e këshillit do të betohet kryetari i ri i bashkisë që është zgjedhur në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.
Ai është Eduard Duro i zgjedhur nga Partia Socialiste. Por a do ta lirojë zyrën kryetari aktual në detyrë Bledjon Nallbati i zgjedhur para katër viteve si përfaqësues i Partisë Demokratike?
Nëse do t’i referohemi deklaratës së djeshme të Lulzim Bashës që u shpreh se zyrat nuk lirohen, atëherë nesër pritet që të kemi një provë force në Devoll, që është rasti i parë i rotacionit.
Presidenti dhe opozita (që i bojkotoi) nuk i njohin zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, ndërsa SHBA dhe BE, pasi i certifikuan, kërkuan që kryetarët e rinj të bashkive që u zgjodhën të nisin punën sa më parë.