Bizhuteritë kanë historitë e tyre, që nisin që nga lashtësia me simbolikat e tyre. Unaza e martesës është një prej këtyre bizhuve që ka rrugën e saj të historisë, por që ndryshon me çdo fe e pikëpamje që ka secili për martesën.
Disa unaza shënonin në mënyrë strikte kontratën ligjore të martesës, ndërsa të tjera shkëmbeheshin në emër të dashurisë së vërtetë. Por ky ndryshim nuk është kronologjik si mund ta mendojmë, në vend të kësaj ai rrjedh e rrjedh, në kohë dhe vende të ndryshme.
Në Egjiptin e lashtë dhe në Romë
Pothuajse 5000 vjet më parë, Egjipti i lashtë ishte kultura e parë e njohur ku njerëzit shkëmbenin “unazat e dashurisë”, shpesh të bëra prej kallamësh të endura ose prej lëkure. Thuhet se egjiptianët e shihnin unazën, një rreth, si simbol të fuqishëm. Rrethi pa fund tregon jetën e përjetshme dhe dashurinë, dhe hapja e tij përfaqëson një portë drejt botës së panjohur. Unazat ishin shumë të rëndësishme në kulturën e tyre.
Unaza besimi
Unazat e besimit, në stile të ndryshme, ishin të njohura në Evropë për më shumë se një mijë vjet. Ato u rishfaqën në vitet 1100 dhe zgjatën me shekuj. Gjatë viteve ato u bënë shumë më të ndërlikuara dhe me zbukurime. Më e zakonshmja, që mbahet ende sot është unaza irlandeze Claddagh, dy duar që mbajnë një zemër me një kurorë. Unaza Claddagh u krijua fillimisht në shekullin e 16-të, trembëdhjetë shekuj pas unazave origjinale të besimit në Romë.
Unaza me mbishkrim
Një posy (ose posie) është një varg i shkurtër, shpesh nga një poezi, shkruar në unazë. Unazat me varg mbaheshin zakonisht në shekullin e 15-të. Në fillim ato kishin dizajne të forta dhe u shkruheshin me fjalë në pjesën e jashtme. Me kalimin e kohës, u bënë më të thjeshta, por mbishkrimet u bënë më personale. Kjo detyroi ata që punonin floririn që të përparonin me teknikat e tyre dhe të mësonin të gdhendnin brenda unazave, për t’i mbajtur këto mesazhe private dhe intime për ata që i mbanin. Kjo tregon një ndryshim, nga martesa që shpesh është një marrëveshje mes familjeve, kur një unazë e zbukuruar nënkupton një marrëveshje më fitimprurëse, tek martesat e ngritura mbi dashurinë, me unaza të thjeshta të formuara nga monedha ari, me mbishkrime si: “Më duaj dhe mos më lër” dhe “Dy trupa, një zemër”.
Unazat e Diamantit
Sot shumë njerëz dinë që De Beers është prapa unazës së diamantit, ndërkohë që, edhe pse është e vërtetë se ata e popullarizuan atë si një unazë angazhimi, diamantet tashmë ishin përdorur në unaza dashurie për disa shekuj. Unaza e parë e diamantit ishte në të vërtetë nga fundi i vitit 100, e gjetur në Romë, një unazë diamanti të paprerë që i përkiste një vajzë të re. Megjithatë, nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse ishte një dhuratë dashurie, një simbol i statusit ose ndonjë lloj tjetër unaze. Fillimisht dihej se diamantët ishin të fortë dhe konsideroheshin të vlefshëm, por vetëm shumë shekuj më vonë, kishin mjetet për t’i prerë dhe zbuluar shkëlqimin e tyre.
Gishti i Unazës
Përgjatë gjithë historisë, ndërkohë që idetë e martesës ndryshuan bashkë me stilet e unazave, ndryshoi edhe gishti i unazës. Eshtë dokumentuar se unazat e martesës janë mbajtur në cilindo gisht, madje edhe të madhin. Sot mbahen më shpesh në gishtin e katërt të dorës së majtë, por disa vende dhe kultura e bëjnë ndryshe. Po si u bë i katërti, gishti i unazës? Kjo na shpie sërish tek egjiptianët. …
Thuhet se ata besonin që gishti i katërt kishte një venë apo nerv që lidhej direkt me zemrën. Dhe ndërkohë që nuk ka fare prova shkencore për ta mbështetur, ne u kthyem tek ajo traditë vetëm prej ndjenjës. Që mund të jetë pjesa e preferuar e historisë së unazës së martesës. / Bota.al