Ndodh shpesh që shumë njerëz e shtyjnë pagëzimin e fëmijëve të tyre, sepse nuk kanë gjetur kumbarën e duhur, ose kumbara nuk ka pasur kohës me ardhë. E ndodh po aq shpesh që kur paraqiten për pagëzim, në pjesën më të madhe të rasteve, kumbarët nuk plotësojnë kushtet për të ushtruar këtë detyrë të rëndësishme.
Para se t’i përgjigjemi pyetjes se a është apo jo i domdosdoshëm kumbara do t’i përgjigjemi dy pyetjeve të tjera:
– çfarë është kumbara?
– çfarë kushtesh duhet të plotësojë dikush për të qenë kumbarë në pagëzim?
Kumbara është personi i cili ka për detyrë të qëndrojë pranë të pagëzuarit, kur ai është i rritur, në marrjen e sakramenteve ose të paraqesë për pagëzim, së bashku me prindërit fëmijën që do të pagëzohet e po ashtu të bashkëpunojë në mënyrë që i pagëzuari të jetojë një jetë të krishterë sipas pagëzimit dhe të përmbushë besnikërisht angazhimet që kanë të bëjnë me pagëzimin. (kan 872)
Pra marrëdhënia ndërmjet kumbarës dhe atij që pagëzohet është një marrëdhënie e ngushtë, pasi ai duhet t’i rrijë pranë atij që pagëzohet gjatë kohës së përgatitjes, gjatë pagëzimit dhe më pas.
Kjo afërsi dhe ky bashkëpunim me prindërit e të pagëzuarit apo me vetë të pagëzuarin çfarë qëllimi ka?
Qëllimi i vetëm është ai që personi i pagëzuar të jetojë një jetë të krishterë sipas pagëzimit. Pra qëllimi kryesor nuk është lidhja familjare, miqësia, simpatia apo aspekti ekonomik, por dëshmia e jetës. Kumbara ofron një dëshmi jete të krishterë dhe njerëzore si shembull për personin që pagëzohet. Prandaj që kjo të ndodhë kisha kërkon nga kumbara që të plotësojë disa kushte minimale.
E cilat janë këta kushte?
– Kumbara duhet të caktohet nga vetë i pagëzuari (kur ky është në moshën e arsyes), ose nga prindërit ose nga kujdestarët e fëmijës, e në rast se këta mungojë nga famullitari apo një ministër tjetër dhe personi i zgjedhur duhet të ketë njëjtin, qëllimin dhe dëshirën që ta ushtrojë këtë detyrë.
Kjo presupozon lirinë në zgjedhjen e kumbarës e nga ana tjetër kërkon që kumbara me të vërtetë dëshiron ta bëjë këtë gjë.
– Të ketë mbushur 16 vjeç. Nëse ka një ligj të ipeshkëvit apo për një arsye të drejtë famullitari mundet me leju një moshë tjetër.
– Duhet të jetë katolik (pra i pagëzuar në ksihën katolike ose i pranuar në të), të ketë marrë sakramentin e krezmimit dhe të eukaristisë dhe të jetë një katolik i cili ka një jetë në përputhje me besimin dhe me detyrën që ka marrë përsipër.
Kjo do të thotë edhe se një njeri i martuar, por pa kunorë kishe apo i divorcuar dhe i rimartur pas divorcit nuk mund të bëhet kumbarë.
– Të mos ketë ndonjë dënim kishtar, p.sh. të mos jetë i çkishëruar me anë të ndonjë dekreti të shpallur publikisht.
– Prindi nuk mund të jetë kumbarë i fëmijës së tij, por mund të jenë gjyshi dhe gjyshja, vëllezërit e motrat e të pagëzuarit ose të prindërve, po ashtu mund të jenë kumbarë edhe kushërinjtë dhe të afërmit e familjes.
– Një ortodoks apo protestant nuk mund të jetë kumbarë i pagëzimit, por vetëm në rast se pranë është një katolik mund të bëhet dëshmitar i këtij pagëzimi dhe regjistrohet në regjistrat e kishës.
Le të vijmë tani tek pyetja fillestare: A është i domsodoshëm kumbara?
Ligji i Kishës thotë tekstualisht kështu: “Të pagëzuarit, për sa të jetë e mundur, t’i jepet një kumbarë …”. Fjala “për sa të jetë e mundur” do të thotë që kur nuk është e mundur kumbara mund edhe të mos jetë. Pra kumbara nuk është i domosdoshëm.
Mundësia për të qenë kumbarë përfshin edhe kushtet që kisha ka vendosur. Kur një kumbarë i zgjedhur dhe i paraqitur nga familja nuk i plotëson kushtet atëherë nuk mund të bëhet umbarë, por fëmija pagëzohet njësoj. Kjo sepse pagëzmi i fëmijës apo edhe i një të rrituri është më i rëndësishëm se sa pasja e një kumbare. Meqeëse ne prindërit nuk i zgjedhim, por kumbarën e zgjedhin atëherë duhet ta zgjedhim sipas ligjit të Kishës. Përgatiti: Dom Gjergj Meta