Një nga gazetarët e BBC-së, i cili u prezantua me identitet të rremë si emigrant për të fituar besimin e bandës, rrëfen përvojën e tij në një kamp të fshehtë në pyjet pranë Dunkirk-ut, ku u takua me një nga drejtuesit kryesorë të grupit, të njohur si Abdullah.
“Po ecja drejt pyllit duke menduar për baterinë në xhepin tim. Telat i kisha fshehur nën dy bluza, por a po punon kamera e fshehtë? A është në këndin e duhur? Kisha maksimumi tre orë jetë baterie për të hyrë në kamp, për ta takuar dhe për të dalë i sigurt,” kujton gazetari.
I veshur me rroba të vjetra, këpucë të konsumuara dhe një çantë shpine të lodhur nga udhëtimet, ai mbante mbi supe historinë e sajuar të një refugjati sirian, të refuzuar nga Gjermania. “Abu Ahmed” ishte emri i tij fals.
Takimi me Abdullahun ishte i qetë, por gazetari ishte i vetëdijshëm për rrezikun, pasi trafikantët ishin të armatosur dhe kampi kishte vetëm një rrugë hyrjeje e daljeje.
“Një ditë më pas, pashë në internet se në të njëjtin vend kishte ndodhur një vrasje tjetër me armë zjarri,” thotë ai.
Abdullahu
Hetimi kishte kërkuar muaj të tërë ndjekjeje, kontakte të shumta dhe telefona të ndryshëm me numra francezë, gjermanë, turq e sirianë.
