Avioni më i famshëm, Lasgushi, që u ngrit në qiell me tam tame të mëdha, por u zhduk për muaj të tërë, është rikthyer sot në Rinas.
Pikërisht ishin opozitarët qe deklaruan se linja ajrore Air Albania ishte pjesë e Turkish Airline, si dhe avionët me logon e flamurit shqiptar ishin pjesë e kësaj linje ajrore. Disa ditë më parë “CH Aviation”, një portal zvicerian i specializuar për zhvillimet në industrinë e Aviacionit, shkruan se projekti “Air Albania” është lënë në harresë, ndërkohë që avionët e siguruar nga “Turkish Airlines” janë rikthyer në Turqi.
Ideja për krijimin e kompanisë kombëtare të fluturimeve u njoftua për herë të parë në korrik të vitit 2017, si një nismë e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Erdogan. Nisma u zyrtarizua një vit më vonë.
Në qershor të vitit 2018 u krijua kompania “Air Albania” me 3 aksionerë: “Turkish Airlines”, “MDN Investment” dhe “Albcontrol”. Menjëherë pas krijimit, shefi i qeverisë shqiptare dha edhe afate konkrete se kur shqiptarët do të udhëtonin me kompaninë e tyre ajrore.