Në larmishmërinë e vendeve turistike të Mesdheut, Shqipëria po spikat si një nga pikat e nxehta që po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqëse për të huajt.
Së fundmi është e përditshmja meksikane A21 që e përmend Shqipërinë në një artikull për popullaritetin e fituar si destinacion turisik.
Duke iu referuar të dhënave të Komisionit Europian kjo media thekson se rritja më e fortë e turizmit në Mesdheun juglindor është parë në Shqipëri.
Sipas saj, Shqipëria shënoi këtë vit një rritje prej 277% në krahasim me vitin 2013, duke lënë pas vende shumë të zhvilluara në fushën e turizmit siç është Greqia, Turqia apo edhe Kroacia.
Shqipëria cilësohet si një vend alternativ premtues, me diell, që ofron për turistët një përzierje plazhesh unike me rërë të bardhë.
Jashtë vëmendje nuk mbetet as trashëgimia historike dhe kulinaria e pasur, ku mbizotëron kuzhina tradicionale.
Një vend të veçantë në këtë artikull zë Tirana, që cilësohet si kryeqyteti modern dhe i çuditshëm qe me gjallërinë dhe kulturën e fortë të kafeneve është kthyer ne te preferuarën e nomadëve digjitalë.
Megjithatë forca më e madhe e Shqipërisë shihet tek fakti që është një destinacion i përballueshëm dhe miqësor me të huajt.