Disa subjekte politike në Mal të Zi duan zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa të tjera shqyrtojnë formimin e qeverisë së re. Për këtë të fundit ka disa opsione, nga një qeveri partiake me një program konkret politik deri te një qeveri kalimtare, detyrë e së cilës do të ishte organizimi i zgjedhjeve.
“Formimi i një qeverie të re është opsion më real se zgjedhjet e reja, ndonëse të gjitha kombinimet që aktualisht janë në lojë, duken të vështira për t’u arritur”, thotë për Radion Evropa e Lirë aktivisti dhe kolumnisti malazez, Stefan Gjukiq.
Më 20 gusht, Kuvendi i Malit të Zi votoi mocionin e mosbesimit kundër qeverisë së Abazoviçit. Për këtë mocion kanë votuar 50 nga gjithsejtë 81 deputetët. Qeveria e Abazoviçit do të funksionojë me mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila ka iniciuar rënien e Qeverisë së Abazoviqit, ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Partitë më të vogla parlamentare kërkojnë marrëveshje urgjente për datën e zgjedhjeve dhe për qeverinë që do t’i përgatiste ato. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se nga Mali i Zi pret që të formojë shpejt një qeveri të re ose të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.