Abuzimi me prodhimin e produkteve ushqimore ka vënë në pikëpyetje sigurinë e tyre për konsumatorët. Duke marrë shkas nga denoncimet e bëra në media, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar asaj të Beratit, që të nisë hetimet.
“Duke marrë shkas nga denoncimet e fundit të medias së shkruar dhe asaj vizive mbi sigurinë ushqimore, ditën e djeshme, Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar prokurorisë së Beratit si prokurori kompetente me një kërkesë të menjëhershme për vlerësimin ligjor të të gjitha rrethanave dhe fakteve të dyshuara që mund të përbëjnë vepër penale. Përfitojmë nga rasti të falënderojmë median e njëkohësisht t’ju bëjmë thirrje të gjithë prokurorëve të ushtrojnë funksionet e tyre duke qenë të ndjeshëm dhe të vëmendshëm ndaj të gjitha burimeve të hapura të informacionit për ngjarjet sensibilizuese dhe me ndjeshmëri për opinionin publik”, thuhet në njoftimin e këshilltarit për median të kryeprokurores, Denion Ndrenika.
Lexo edhe- Abuzimi, pluhur tulle dhe allçie si ngjyrues dhe forcues në ushqime
Prokuroria e Përgjithshme, në mungesë të kompetencës për të nisur kryesisht hetime, në mënyrë të vazhdueshme u ka kërkuar të gjithë prokurorëve që pavarësinë e tyre ta vendosin në shërbim të zbatimit të ligjit për të rritur besueshmërinë e publikut.