Kyetari i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka tentuar të adresojë kontradiktën e krijuar në raport me listat e kandidatëve për deputet të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Pas lajmit se babai i tij, Ferman Lapaj, ishte kryesues i listës së koalicionit në Berat, ai ka dhënë një reagim në rrjetet sociale për të sqaruar situatën.
Lapaj shprehu se lista paraprake ishte përdorur kundër tij, duke theksuar se Ferman Lapaj nuk është më deputeti i parë në listën e “Shqipëria Bëhet” në Berat. Ai sqaroi se babai i tij nuk figuron më në listën e finalizuar që është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dhe se tani Aleksandër Bacaj është ai që kryeson listën në këtë qytet.
Kontradiktat që janë shfaqur ditët e fundit lidhur me listat e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” kanë shkaktuar reagime të shumta.
Përveç situatës me Ferman Lapajn, u bë lajm edhe marrëveshja në minutat e fundit me deputetin e Partisë Demokratike, Dashnor Sulën. Pas largimit të tij nga lista e PD, Sula tha se do të ishte pjesë e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, por mesa duket marrëveshja mes palëve nuk është arritur.