Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet nesër për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Deputetët do të njihen me formularët, ku secili prej tyre do të ketë të drejtën ta plotësojë me tre emra që ai i sheh potencialisht të mundshëm për tu ulur në karrigen e Kreut të Shtetit. Deri tani opozita nuk është përfshirë në këtë proçes.
Çështja që shtrohet është: A do të duhej të ishte Presidenti i Republikës fryt i një kompromisi dhe së dyti çfarë profili duhet të ketë Presidenti i Republikës, duhet të jetë i një profili politik?
Lapaj: Nuk ka asnjë gjë të keqe të jetë i një profili politik, çdo qënie në këtë botë është qënie politike. Partiake pastaj është tjetër diskutim. Presidenti, në kushtet dhe kohën kur është Shqipëria duhet të ketë një funksion dhe rol paqtues, përbashkues, mbi palët. Do të ishte në nderin e parlamentit tonë që të zgjidhte një përfaqësues përtej palëve politike. Ka në Shqipëri plot emra, aktivistë shumë të mirë, doktor Tritan Kalo, profesor Erion Kristo. Janë individë që mund të shkonin përtej debati, për të vendosur një standard tjetër. Sigurisht që këtu nuk ka nga këto vullnete. Unë e kuptoj, të jesh i ndershëm është problem në një vend si Shqipëria.
Gjatë ditëve të fundit janë hedhur për konsum mediatik dhe në rrjetet sociale shumë emra, të cilët kryesisht nuk janë të një profili politik.
Avokati dhe aktivisti Adriatik Lapaj në intervistën për Rtv Ora, i referohet Kushtetutës për kriterin që duhet të plotësojë secili prej tyre për të qenë kandidat zyrtar për President.
Lapaj: Neni 87, pika 1 i Kushtetutës përcakton qartë që për të qenë kandidat për President të Republikës duhet që të jesh propozim i 20 deputetëve dhe një deputet mund të propozojë vetëm një emër. Maksimalisht mund të ketë 7 kandidatë kjo histori se janë 140 deputetë. Në rrjet kam parë 700 kandidatë. Por mendoj që politika kësaj herë duhet të japë një President përtej radhës të politikës aktive të partive politike.
Taulant Balla deklaroi sot se përveç deputetëve do të nisin konsultimet dhe me shoqërinë civile dhe qytetarë.
Lapaj: Nuk më kanë kontaktuar. Nëse më kontaktojnë do të thosha emra që besoj se i bëjnë nder kësaj Republike. Kam gjithë kritikat e mia për mënyrën si qeveriset ky vend por edhe mënyrën si bëhet opozitë por kjo nuk më bën të bëhen hasha me vendin tim. Në një moment, nëse mendimi vlen, padiskutim do ta jap por nuk më ka kontaktuar njeri.