Agron Malaj, ish-komandant i grupseksionit 4 në Gardën e Republikës më 21 janar ka folur sonte për herë të parë në “Real Story” duke sjellë një tjetër këndvështrim të asaj dite. Ai shpjegon se çfarë ndodhi më 21 janar 2011, si veproi Garda në ato momente delikate, lëvizjet e Bashës në tarracën e Kryeministrisë dhe nëpër godinë si dhe vendimi i marrë nga Berisha në ato momente.
Agron Malaj:
Njësia speciale u njoh më datë 20 janar me planin e komandës së Gardës së Republikës. Në datë 21 janar, ora 9:00, bëmë vendosjen e mjeteve dhe vendosjen e grupeve. Ishim të vendosur në portat 1 dhe 2, grupi i seksionit tim; kishim grup snajperësh te Kryesia e Kuvendit dhe Kullat Binjake, kishim edhe grup evakuimi.
Por prisnim në mjete deri rreth orës 10:00, kur u agravua situata. Më pas patëm thirrje për vendosje. Shkuam pa skafandra dhe mjete mbrojtëse, fillimisht.
Ishim të pozicionuar te Ministria e Financave, pas marrjes së urdhrit u pozicionuam në 2 pika, te porta nr.1 (ku ndodhën edhe ngjarjet), së bashku me njësinë e 3-të, dhe te porta nr.2. Në atë moment ne ishim në mbështetje të batalionit nr. 2 të Gardës. Kur u agravua situata, forcat e batalionit 2 u tërhoqën dhe braktisën shërbimin, dhe mbetëm forcat speciale dhe disa oficerë.
Patëm goxha kundërshti për planin, sepse ne kemi mision të përcaktuar në ligj, të vepronim në grup, jo të ndaheshim si në plan, 2 këtej e 3 andej, por zbatuam planin e Komandës së Gardës. Njësia Speciale ishte për mbështetje ndaj batalionit nr.2, për ruajtjen e Kryeministrisë dhe objektet; Njësia Speciale është për mbështetje që bëjnë batalioni i 2-të apo eskortat… Kështu që vendosja jonë ishte me detyrë ruajtjen e të gjitha anëve të Kryeministrisë asaj kohe.
…Batalioni mund të ketë pasur edhe 300 vetë personel, por Njësia Speciale ka 56-57 anëtarë, që ishim të ndarë…
Ne komunikonim me radio analoge, në komunikim jo vetëm të brendshëm të forcave speciale, por dhe të jashtëm, se hynin dhe njësitë e tjera të Gardës së Republikës, për ruajtjen e objektit dhe personave të rëndësisë së veçantë; ruajtja e materialeve është pjesë e Gardës së Republikës në kanalet e Gardës; ruajtjen e materialeve e bën seksioni në qendrën e Gardës. Ligji e ka të përcaktuar kur gardisti hap zjarr, në nenin 25:
a. kur është në ruajtje të personaliteteve shtetërore
b. ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë
c. roja në vendroje
Kishte shumë tension, pasi patëm debate për vendosjen e Njësisë Speciale, dhe tensioni u shtua pasi një pjesë e forcave ikën dhe mbetëm pak oficerë e pak ushtarë. Pasi edhe forcat e Policisë u çanë nga turma, gjithë pesha ra te forcat e Gardës dhe Garda nuk ka përgatitje për menaxhim ndaj turmave, as Njësia Speciale nuk është e specializuar të merret me turmat e civilëve…
Nuk ka Grup Zjarri Garda, por Njësi Speciale; ky term doli pas datës 22 janar… Ky term është i gabuar.
Gjatë hapjes se portës pati një gabim, pasi nuk u hap nga protestuesit, por nga fotografi i Gardës për të dokumentuar veprimet e protestuesve. Më pas, në rrëmujë ngeli ashtu dhe u shty nga protestuesit.
Në momentin e hapjes së portës patëm thyerje të perimetrit të parë të sigurisë, ne kishim 3 perimetra:
1-porta,
2-teli me gjemba,
3-pedana.
Por një trupë e specializuar edhe turmën duhet ta presë sipas agresivitetit. Pra, një turmë pa armë nuk e pret dot direkt me zjarr. Edhe kur hyri makina, prapë nuk mund të hapësh zjarr direkt, pasi hapja e zjarrit ka qenë individuale. Ne u bëmë instruktazh trupave (e ka edhe prokuroria) që zjarri hapet me urdhër, por përgjegjësia e hapjes së zjarrit është individuale. Ka pasur në radio urdhra për ZJARR, por ky urdhër nuk mund të jetë thjesht verbal, pasi kishte shumë urdhra në radio në momentet e tensionit dhe personat nuk identifikoheshin. Nëse unë, për shembull, i jap urdhër për zjarr snajperëve që kisha vendosur lart, duhet të identifikohesha me kodin tim.
Kur u hap dera në kryeministri, pati dyndje dhe veprimtari të armëve të zjarrit dhe goditje me gurë nga protestuesit. Një pjesë e madhe e efektivëve u larguan nga pozicionet e tyre për tek Ministria e Financave dhe mbetëm rreth 17 veta. Pse ikën ata? Është përgjegjësia e tyre. Braktisja e pozicioneve shumë e shëmtuar dhe duhet të kishte hetim. Pati problematika edhe tek trupat e FNSH-së, sepse me gjithë agresivitetin e turmës nuk justifikohet braktisja e pozicioneve… Garda ka një shërbim analize dhe shërbim mediash që filmon tërë veprimtarinë e një operacioni. Dhe është sektori i analizës që bën analizimin e gjithë ngjarjes. Duhen ta kenë bërë… Po ne nuk kemi informacion.
…Kishte shumë tension, pasi patëm debate për vendosjen e njësisë speciale dhe tensioni u shtua pasi një pjesë e forcave ikën dhe mbetëm pak oficerë dhe pak ushtarë. Pasi forcat e policisë u çanë nga turma, gjithë pesha ra tek forcat e gardës. Garda nuk ka përgatitje për menaxhim për turmat dhe as Njësia Speciale nuk është e specializuar të merret me turmat e civilëve.
Pati urdhër ‘ZJARR’, por nuk dihej nga vinte. Pati një kundër-urdhër nga komandanti i Njësisë Speciale, ‘kujdes me përdorimin e armëve të zjarrit’, për të gjithë oficerët, të cilët përsëritën urdhrin tek trupat. Fillimisht u përdor zjarr në ajër me fishekë manovër, pastaj pamë degët që binin dhe konstatuam që po përdoreshin fishekë realë, gjë që duhej t’i kishte Njësia Speciale, jo vendrojat apo radhët e para të ushtarëve.
Agim Llupo kur qëlloi, ishte tek dritarja. Siç shihet edhe nga pamjet, dikush tha në radio ‘U HAP PORTA’. Porta ishte diçka “E SHENJTË”. Aty filloi hapja e zjarrit. Në moment bërtita: “KUJDES, MOS PËRDORNI ARMËT E ZJARRIT”. Ishim edhe të gjithë të maskuar. E kam parë personin që qëllonte, po nuk e dija që ishte Llupo, i cili ishte Shef Shtabi, pra Eprori im e nuk i dija vendndodhjen. Në të vërtetë nga pamjet, duket që Llupos i iku arma, pasi automatiku model 55 është shumë i vështirë në përdorim.
Kam pasur komunikim fillimisht me ish-komandantin e gardës Arben Çuko. Më pas kam parë Ndrea Prendin që pati komunikim të rëndë me ish-komandantin e gardës Arben Çuko. E pashë edhe kur u godit me gurë, por ka qenë në lëvizje. Unë urdhra direkt nga Ndrea Prendi nuk kam marrë, pasi marrim urdhra vetëm nga komandanti jonë.
Nuk kam marrë urdhra të drejtpërdrejtë nga Ndrea Prendi. Pata vetëm një pamje vizuale që të organizohet njësia speciale, por ne nuk marrim urdhër nga komandanti i gardës. Ne marrim urdhër nga komandanti ynë, se s’mund të zbatohen urdhra verbalë. Mund të çmendet dikush e të japë urdhër për zjarr e të bëhet skandal i madh.
…Me kryeministrin nuk kam pasur komunikim direkt, vetëm me komandantin e njësisë speciale. Jam ngjitur 1 herë në kat të dytë kur u përgatit një plan evakuimi. Aty kam parë Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe komandantin e Gardës në hollin e kryeministrisë ku po debatonin, kishte tension në biseda.
Basha ka qëndruar tërë kohën në kryeministri, duke lëvizur në pozicione të ndryshme nëpër godinë.
…Se ku ndodhen provat nuk mund t’i them se nuk është çështje që më takon. Unë kam pasur 3 çifte snajperësh, pra të shoqëruar me nga një ndihmës snajperist. Kemi pasur komunikim për 1 person që mund të kishte armë brezi, që duhet të jenë fotografuar, por unë fotografi nuk kam. Urdhri ka qenë të rrinë në pritje, pasi armët e snajperistëve mund të bëjnë shumë dëm në turmë dhe ne nuk ishim agresorë me armë në dorë duke hapur zjarr drejt objektit. Aty duhej të ruhej qetësia dhe të përballohej pjesa e operacionit.

Gjatë planit që bëmë në datë 20 janar patëm info nga Policia e Shtetit, ku thuhej se gjatë lëvizjes së kryeministrit, nga kryeministria për në banesë, mund të kishte atentat. Ne morëm masa me 2 blindat e Policisë Ushtarake që i kishim brenda kryeministrisë, për t’i pasur gati për evakuim, por ai qëndroi aty dhe nuk lëvizi nga kryeministria. Pati 2-3 tentativa për të bërë evakuimin e kryeministrit. Nuk pranoi.
Ne na mbanin në tension që ‘do arrestoheni’, deri tek ‘duhet të largoheni’. Ia kam thënë dhe Ndrea Prendit, që thuhet që do na arrestojnë, tha: Nuk di nga këto gjëra, secili do mbajë përgjegjësi individuale…… Na erdhën urdhër arrestet. U arrestuam 4 persona të etiketuar si “GRUP ZJARRI”, kur ne ishim 12 veta në atë seksion. Ky emërtim u shpik, doli, u krijua, u montua, dhe u hap. Ngjarja nuk mund të quhet e pazbardhur, pasi ka 2 autorë. Mund të kenë pasur presione të ndryshme. Duhet parë pjesa e regjistrimeve të komunikimeve të Gardës së Republikës. Duhen parë komunikimet mbi urdhrat që janë dhënë atë ditë dhe të identifikohen zërat…. Ka pasur urdhër “ZJARR”, por zjarr mbi turmën? Apo në ajër? Pati një çorientim të madh.
Për mendimin tim, efektivët e gardës nuk mund të hapin zjarr me dashje, pasi edhe në ligj është e përcaktuar që nuk mund të hapësh zjarr ndaj një turme pa armatim. Mendoj që ka pasur trysni ndaj njerëzve që e hapën zjarrin, trysni psikologjike. Mendoj që është një pakujdesi. Se me dashje do kishin bërë masakër. Prokuroria u fokusua tek Garda e Republikës. Mendoj që ka qenë orkestrim ndaj nesh. Në media kam parë që ka dalë që Komandanti i Gardës ka bërë ndërrimin e tytës së armës së tij me shoferin, veprim ky skandaloz i një ushtaraku. Ne e vuajtëm në kurriz këtë…. Emri im edhe sot përdoret nga opozita.
Procesi gjyqësor ndaj meje pati një handikap të madh. Si fillim u akuzua tërë hierarkia e Gardës së Republikës. Hap pas hapi, erdhën deri tek njësia speciale, kur doli personi që kishte qelluar, që ishte Shefi i Shtabit të Njësisë Speciale, Agim Llupo. Hetimet u shtrinë te njesia speciale që ishim ne. “Grup Zjarri” si term doli aty, dhe u përqëndrua edhe tërë fokusi i hetimeve. U morën armatimet, instruktazhet, organizimi. Unë deklarova edhe në Prokurori që, qoftë edhe 1 efektiv i vetëm i imi nëse do të ketë hapur zjarr ndaj protestuesve, do të jem bashkëfajtor edhe unë me të. Por doli që ASNJË nga efektivët e seksionit 4 siç quheshim ne, NUK KISH KRYER ASNJË VEPËR PENALE.