Kandidati socialist për deputetet në Qarkun e Dibrës Agron Malaj është takuar me zgjedhësit e njësive administrative Rukaj, Suç, Macukull, Derjan dhe ato të lagjeve “Pjetër Budi” e “Drita” në qytetin e Burrelit.
“Gjatë viteve që drejtova bashkinë e Matit jam përpjekur të loboj për investime të rëndësishme, në ujësjellësa, rrugë, sheshe, trotuare, shkolla, ndriçim, kanalizime, etj. Në këto vite janë realizuar më shumë se 100 vepra që do t’u shërbejnë brezave. Aktualisht po punohet në 47 kantiere ndërtimi në bashkinë e Burrelit dhe 18 në bashkinë e Klosit”, tha Malaj për zgjedhësit e Suçit.
Ai shtoi se nuk ka ikur por do të jetë pranë qytetarëve edhe pas zgjedhjes si deputet. “Unë, tha Malaj, do të kem zyrë në Burrel dhe Klos, për t’u ndodhur pranë halleve të qytetarëve në çdo kohë. Po ashtu herë pas here do të jem fizikisht mes zgjedhësve.”
Kandidati socialist u tha zgjedhësve se kandidatët e opozitës nuk duhen votuar sepse nuk kanë dhënë asnjë kontribut për Matin, Dibrën, Bulqizës apo Klosin. “Jo vetëm nuk kanë bërë asgjë për vendlindjen por as nuk kanë folur një herë në Parlament për problemet e banorëve të Qarkut Dibër”-tha Malaj.
