Deri në 31 dhjetor të vitit 2020, 80% e punës për rindërtimin e banesave dhe strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti përfundon. Ky është parashikimi i ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj, i cili deklaroi në “Real Story” në News24 se shoqëria shqiptare do ta marrë shumë shpejt veten, pavarësisht se për njerëzit që kanë humbur të afërmit e tyre trauma do të mbetet.
Duke iu referuar efektit psikologjik tek shqiptarët, ai theksoi se injektimi për rindërtimin do japë efekte pozitive në ekonomi.
“Brenda Krishtlindjeve pastrohen
gjithë inertet, territori nga kujtesa traumatike e tërmetit dhe fillon rrëzimi
i atyre ndërtesave rrezik për qytetarët. Që nga 1 janari fillon faza e dytë,
strehimi me bonusin e qirave, janë eko shtëpitë, eko banesat në zonat rurale.
Janë banesa prej druri, ekologjike.
Këta 6 mijë jo të gjithë janë të pabanueshme, janë të dëmtuara. Ndërkohë ka
filluar faza e dytë, rikonstruksioni i atyre shtëpive që nuk shemben, qytezat
me fazat e veta.
Sa do vazhdojë kjo? Ndërtimi i qytezave nuk jam në gjendje por besoj se një
pjesë dërrmuese, nëse qeveria angazhohet 24 orë me ndërtimin e qytezave dhe
infrastrukturës besoj se 80% e punës mbaron në 31 dhjetor 2020.
Institucioni që do marrë përsipër, duhet t’i kërkojë leje ligjbërësit me ligj të veçantë me procedura të përshpejtuara, të hapura por të përshpejtuara. Ata punonjës atje, qeveria duhet të merren 24 orë dhe ato firma që do punojnë për rindërtimin. Sepse nuk është një situatë e zakonshme”, deklaroi Ahmetaj.
Ai shpjegoi më tej se stepja e
konsumit do të jetë në 1 apo 2 muaj dhe më pas qytetarët do t’i kthehen jetës
së zakonshme.
“Jam munduar që këto ditë edhe për shkak të detyrës që më dha kryeministri, kam
studiuar 3-4 ekonomi të ngjashme pas goditjeve si kjo.
Jam i bindur që trauma psikologjike besoj unë për shumë njerëz që kanë humbur
të dashurit e tyre nuk ikën kurrë por shoqëria shqiptare besoj se do ta
rikuperojë me qetësimin e lëkundjeve. Në krye të 2-3 muajve psikologjikisht do
të ketë filluar ta rimarrë veten. Besoj se nga ana psikologjike, mund të ketë
një stepje të vogël të konsumit por shqiptarët në 1-2 muaj do t’i kthehen jetës
së zakonshme. Shoqëria do ta rimarrë veten, do t’i kthehet jetës së përditshme.
Kështu ka ndodhur edhe në disa vende. Injektimi për rindërtimin do japë efekte
pozitive”, deklaroi Ahmetaj.
Ndërkohë Arbër Hajdari i Fundjavë
Ndryshe apeloi të gjithë që të vazhdojnë të kontribuojnë për rindërtimin e
shtëpive të shkatërruara nga tërmeti.
“Ky proces do zgjasë dhe unë i lus që të vazhdojnë të dhurojnë. Nuk ka rëndësi
se ku dhurojnë, tek Fundjavë Ndryshe, Fondacioni Firdeus, tek Marini,
e-Albania. Gjithë shqiptarët e kanë treguar veten. Nuk janë 1-2 familje por
janë shumë familje”, deklaroi ai.