Më shumë se 1 miliard dollarë parashikohet dëmi ekonomik që do të pësojë Shqipëria për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Është kjo shifra që dha në studion e emisionit “Opinion”, ministri Arben Ahmetaj, ndërsa pohoi që sektori më i prekur do të jetë ai i prodhimit.
“Dëmi ekonomik këtë vit mund të shkojë përreth minus 5 për qind. Nëse do e transmetoja në shifra të prodhimit të brendshëm bruto, gati 1 miliard dollarë brenda vitit. Unë mendoj që do të jetë pak më e lartë, do të shkojë tek 8 për qind dhe do të kalojë 1.3 miliardë dollarë dhe si dëm do të transferohet tek ndërmarrjet. Pra, kemi prodhimin. Kjo është ndryshe si krizë nga ajo e vitit 2008, është krizë e sektorit real të krijuar nga frika e pandemisë”.
Ahmetaj tha se në këto kushte, vendi gradualisht do të vijojë hapjen, ndonëse kjo hapje është e kushtëzuar edhe nga mënyra se si do të hapen vendet e rajonit. “Ne po hapemi, por jemi të kushtëzuar edhe nga hapja e rajonit. Italia dhe Greqia janë mbi 85% e shkëmbimit tonë tregtar. Hapja e tyre do na lehtësojë”, u shpreh Ahmetaj.