Kryetari i Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushi viziton Institutin e Shkencës së Informacionit në Slloveni (IZUM).
Në këtë vizitë ai u prit nga drejtori i këtij instituti dr. Aleš Bošnjak, koordinatorja e Sistemit të Kërkuesve Shkencorë (ECRIS) Darinka Šeško dhe koordinatori i rrjetit COBISS.net Davor Bračko.
Kryetari i Akademisë shoqërohej nga kancelari Ruzhdi Kuçi dhe përfaqësuesja e sistemit COBISS.AL Mirlona Buzo.
Qëllimi i këtij takimi ishte konsolidimi dhe zgjerimi i infrastrukturës së informacionit shkencor, e cila mundëson cilësi dhe transparencë të potencialeve dhe rezultateve kërkimore e për rrjedhojë promovimin e risive në shkencë.
Pasi u vlerësua bashkëpunimi disavjeçar midis këtyre institucioneve u theksua rëndësia e evidentimit të aktivitetit shkencor të kërkuesve brenda dhe jashtë Shqipërisë, forcimi i rrjetit të kërkuesve shkencorë, si edhe rritja e mundësive të bashkëpunimit në projekte të përbashkëta.
Në këtë takim u ra dakord për organizimin e një konference të përbashkët shkencore në Shqipëri me pjesëmarrës të universiteteve, instituteve dhe qendrave kërkimore shkencore, për prezantimin e platformave online të implemetuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në ndihmë të kërkimit shkencor.
Me shumë interes ishte edhe prezantimi i superserverit (Vega computer) në mjediset e këtij instituti për ruatjen dhe mbrojtjen e informacionit shkencor.