Dy inspektorë të drejtorisë së të ardhurave në Bashkinë Shkodër janë ndaluar në akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa pronari i një hoteli në Velipojë për fshehje të të ardhurave.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Shkodrës, në sajë të operacionit të koduar “Akomoduesi”, është zbuluar se dy inspektorët dhe një person i tretë i shpallur në kërkim, duke qënë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.
Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë dhe për pronarin e hotelit për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
NJOFTIMI
Procedohet në gjendje të lirë pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”.
Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Akomoduesi” janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës.
Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.
Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve:
B. P., 32 vjeç, banues në Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër;
I. M., 63 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër;
Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër.
Këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qënë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.
Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e hotelit, shtetasin P. A., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër për veprat penale “Shpërdorim detyre“, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Fshehja e të ardhurave”.
