Një futbollist gjerman ka humbur jetën në Mal të Zi pas një incidenti të rëndë me teleferikun në vendpushimin turistik Savin Kuk.
Viktima, Sebastian Hertner, ra nga një lartësi prej rreth 70 metrash, duke humbur jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e lënduar.
Sipas raporteve fillestare, dy karrige të teleferikut u shkëputën nga kabllot dhe u përplasën me sediljen pas tyre, ku ndodhej Hertner.
Gruaja e tij, 30 vjeçe, mbeti e bllokuar në karrige dhe u shpëtua nga shërbimet e urgjencës ndërsa pësoi një thyerje në këmbë dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
Raportohet gjithashtu se të paktën tre turistë të tjerë mbetën të bllokuar në karriget e teleferikut për disa orë. Ekipet e shpëtimit arritën t’i zbrisnin ata në mënyrë të sigurt, pa pasoja serioze shëndetësore.
Sebastian Hertner ishte produkt i akademisë së VfB Stuttgart dhe gjatë karrierës së tij 16-vjeçare profesionale luajti për disa klube në divizionin e dytë dhe të tretë të futbollit gjerman. Së fundmi, ai mbante shiritin e kapitenit te ETSV Hamburg, skuadër që garon në Oberliga, niveli i pestë i futbollit gjerman.
“Me hidhërim të madh njoftojmë sot se kapiteni ynë, Sebastian Hertner, ka ndërruar jetë në një aksident tragjik gjatë pushimeve. Jemi të tronditur dhe jashtëzakonisht të trishtuar. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen dhe të dashurit e tij. Pusho në paqe, Sebastian,” shkroi ETSV Hamburg në rrjetet sociale.
Edhe menaxheri i klubit, Jan-Philipp Rose, reagoi me një mesazh prekës:
“Ti ishe shumë më tepër për mua sesa thjesht kapiteni im. Ti ishe një mik, një model dhe një person që na formësoi të gjithëve. Vdekja jote e papritur na ka tronditur thellë.”
Në karrierën e tij ndërkombëtare, Hertner luajti si mbrojtës krahu dhe zhvilloi 14 ndeshje me përfaqësuesen gjermane U-18, si dhe pesë ndeshje me ekipin U-19.
