Një aksident i rëndë ka ndodhur pak më parë në qytetin e Burrelit, në lagjen “Partizani”, në afërsi të Tregut Industrial.
Mësohet se katër persona, dy punonjës të bashkisë Mat dhe dy kalimtarë të rastit kanë mbetur të plagosur rëndë.
Shumë shpejt të dëmtuarit janë dërguar në spitalin bashkiak “Xhavit Mara” Burrel dhe pas ndihmës së parë ata janë transportuar drejt Spitalit të Traumës për një mjekim më të specializuar.
Të plagosurit janë Veli Bunga dhe mbesa e tij si dhe punonjësit e Bashkisë Mat Përparim Nika e Xhelal Kola.
Policia lokale bëri me dije se autori i ngjarjes është një person me precedentë të mëparshëm, madje atij i janë sekuestruar katër mjete për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor në vendet publike.
Njoftimi i Policisë
“ Me datë 19.02.2024, në vendin e quajtur ‘ish grumbullimi’ në qytetin e Burrelit, shtetasi Y.Xh., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga dhe ka aksidentuar 4 shtetas (këmbësorë), të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital. Shëbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje drejtuesit të mjetit shtetasit Y.Xh., i cili pasi ka shkaktuar aksidentin, është larguar nga vendngjarja. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, thuhet në deklaratën e Policisë.
