Një tragjedi e madhe ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Larisa të Greqisë, ku pas përplasjes së dy trenave kanë mbetur të vdekur 32 persona dhe janë plagosur 85 të tjerë.
“Nuk dihet ende nëse ka shqiptarë mes viktimave dhe të plagosurve nga përplasja tragjike e dy trenave në Greqi”,-tha kreu i komunitetit shqiptar në Greqi, Luan Zyka. Ai tha se nga informacionet paraprake mësohet se në tren ishin shumë studentë që ktheheshin në Selanik.
“Nuk dihet nëse ka shqiptarë apo jo mes viktimave. Jemi interesuar me spitalin e Larisës se atje kanë shkuar viktimat dhe të plagosurit janë 32 viktima 35 të plagosur, 58 persona janë ende në spital. Ajo që na thuhet është që shumica kanë qenë studentë që ktheheshin në Selanik. Akoma nuk dimë nëse ka shqiptarë, kam telefonuar në spitalin e Larisës se kjo del nga policia dhe spitali nuk na jep të dhëna”, u shpreh ai.