Gjykata e Posaçme la në burg policin Igli Haxhiaj.
Në një seancë me dyer të mbyllura zhvilluar këtë të premte, 28 nëntor, masa e lëshuar ndaj tij në mungesë u la në fuqi.
Hetimet që SPAK-u kreu në bashkëpunim me autoritetet italiane zbuluan se Haxhiaj kishte nxjerrë sekrete hetimore dhe ishte korruptuar nga anëtarë të grupit kriminal gjatë kohës që mbante detyrën te Forcat Operacionale.
Në Shqipëri në kuadër të këtij operacioni u arrestuan edhe tre persona të tjerë për llogari të autoriteteve italiane me qëllim ekstradimi.
Një hetim 5-vjeçar i kryer nga një skuadër e përbashkët mes SPAK, autoriteteve italiane në Breshia dhe prokurorisë së Zvicrës çoi në goditjen e një grupi kriminal që kishte arritur të trafikonte 1.3 tonë kokainë nga Amerika Latine, e sekuestruar në Itali.
SPAK deklaroi se grupi, i përbërë kryesisht nga shqiptarë dhe që drejtohej nga vendi ynë, kishte ngritur 6 baza në vendin fqinj ku ndahej dhe përpunohej lënda narkotike.
Paratë e përfituara nga shitja e drogës transferoheshin në Shqipëri nga korrierë, si dhe përmes shoferëve të autobusëve të linjave mes dy vendeve.
