Turqia ka dënuar djegien e një kopje të Kuranit gjatë një proteste në Suedi, duke e përshkruar atë si një “akt të ndyrë”.
Sipas BBC, vendi tha se vendimi i qeverisë suedeze për lejimin e protestës ishte “plotësisht i papranueshëm”.
Kjo vjen në kohën e rritjes së tensionit diplomatik midis dy vendeve.
Turqia e cila i kishte bërë thirrje Suedisë për të ndaluar protestën, më herët anuloi një vizitë të ministrit suedez të Mbrojtjes, Pal Jonson, duke thënë se udhëtimi kishte “humbur rëndësinë dhe kuptimin e tij”.
Shpresohej se udhëtimi mund të largonte kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e vendit skandinav në aleancën ushtarake të NATO-s. Turqia deri më tani ka penguar aplikimet e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Turqia kërkon lëshime politike, duke përfshirë dëbimin e kritikëve të presidentit të saj, Recep Tayyip Erdogan, dhe kurdëve që ajo pretendon se janë terroristë.
Turqia është tashmë një anëtare e NATO-s, që do të thotë se mund të bllokojë një vend tjetër nga anëtarësimi. Suedia dhe Finlanda aplikuan të dyja për t’u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën.