“Situata e krijuar si pasojë e rënies së tërmetit datë 26.11.2019, solli si rrjedhojë edhe intensifikimin e veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për ndjekjen e situatës. Me qëllim garantimin e shëndetit të banorëve të prekur, u ngritën trupa të posaçme inspektuese nga Drejtoritë Rajonale të AKU-së Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan dhe Lezhë”, thuhet në një njoftim të AKU-së.
Gjatë periudhës 28.11.2019 deri më 08.12.2019 janë monitoruar dhe kontrolluar 395 pika grumbullimi të ndihmave ushqimore në zonën e Tiranës, Vorës, Kamzës, Durrësit, Shijakut, Sukthit, Krujës dhe Lezhës si dhe Hotelet apo Resortet ku janë strehuar personat e prekur nga tërmeti.
Sipas zyrtarëve të këtij institucioni: “Nga kontrollet e kryera janë konstatuar produkte ushqimore të cilat ruheshin në kushte të papërshtatshme dhe me afat të kaluar përdorimi. Për këte arsye nga ana e trupave inspektuese është marrë masa e bllokimit dhe më pas asgjesimit të sasisë prej 1727.5 kg produkte ushqimore si dhe 20 litra lengje”. /tirananews.al/