Kryetari i PD-së, Sali Berisha reagoi sot në lidhje me aksionin e policisë për lirimin e godinës së televizionit News24, e cila ndodhet në ambientet shtetërore të ish-Uzinës së Autotraktorëve, në Shkozë të Tiranës.
Ai e ka cilësuar operacionin e policisë si një sulm ndaj fjalës së lirë. Berisha theksoi se qeveria urdhëroi policinë që “të ndërpresin sinjalin e televizionit të News24, një nga burimet kryesore e të pakta të informacionit të pavarur në Shqipëri”.
Berisha thekson se Partia Demokratike “duke shprehur solidaritetin më të plotë me gazetarët dhe të gjithë punonjësit e News24 dënon me forcën sulmin ndaj fjalës së lirë” dhe “kërkon largimin e menjëhershëm të forcave policore nga territori i Televizionit News24, lirimin e menjëhershëm të sinjalit të këtij televizioni”.
“Partia Demokratike ju bën thirrje të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë për fjalën e lirë dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të sinjalit të televizionit News24”, theksoi ndër të tjera Berisha.
