Sasia shumë e ulët e dëborës në Himalaje rrezikon të lërë pa ujë qindra milionë banorë të Afganistanit, të Kinës, të Pakistanit dhe të Vietnamit. Sipas shkencëtarëve thatësira do të çonte edhe në krizë ushqimore, e cila do të ndjehej gjithashtu edhe tek tokat bujqësore.
Alarmi u dha nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar të Maleve (Icimod), organizatë me qendër në Nepal në të cilën bëjnë pjesë 8 shtete: Afghanistan, Bangladesh, Butan, Kinë, Indi, Myanmar, Nepal dhe Pakistan. Shkak për këtë janë bërë reshjet gjithnjë e më të pakta të dëborës në vargmalet e Hindu Kushit dhe të Himalajës, në Azinë Qendrore.
Mungesës së reshjeve i shtohet edhe shkurtimi i periudhës gjatë së cilës bora mbetet në tokë. Këtë vit ajo është 18.5 për qind më e shkurtër se normalja, tha studiuesi Sher Muhammad nga qendra shkencore në Nepal. Kjo do të thotë se ekziston një rrezik shumë i lartë i mungesës së ujit në rajonin malor dhe luginat rrëzë Himalajeve.
Sipas studiuesve nga uji i krijuar nga shkrirja e borës dhe akullit janë të varur rreth 240 milionë vetë në rajonin e Himalajeve dhe 1,65 miliardë njerëz të tjerë që jetojnë përgjatë lumenjve që burojnë nga Himalajet.
Studiuesit e Icimod-it i masin reshjet e borës në rajon prej më shumë se dy dekada. Studiuesit e Icimod u bënë thirrje autoriteteve të rajonit që të marrin masa tani për t’u përgatitur për një thatësirë të afërt.