Kryeministri hungarez Viktor Orban u takua të martën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev. Dy liderët diskutuan se si mund të arrihet një paqe afatgjatë dhe e qëndrueshme pas pushtimit rus të vitit 2022
“Për të gjithë ne në Evropë është jetike që mbështetja evropiane për Ukrainën të vijojë në nivelin e duhur, përfshirë mbrojtjen e saj nga terrori rus. Duhet që marrëdhëniet mes fqinjëve në Evropë të bëhen më të thella dhe më efikase”, tha Zelensky.
Kjo është hera e parë që Orban viziton Ukrainën në shumë vite dhe shënon një shkrirje të tensioneve mes dy vendeve.
Kryeministri hungarez njihet si një aleat i ngushtë i Vladimir Putin dhe deri më sot ka bllokuar dhe vonuar vazhdimisht përpjekjet e BE-së për të zgjatur asistencën për Ukrainën.
Megjithatë, gjatë takimit të së martës, ai e vuri theksin tek nevoja për një armëpushim imediat, që t’i hapë rrugë bisedimeve të paqes.
Vizita e tij vjen teksa Hungaria merr presidencën 6-mujore të BE-së, pavarësisht shqetësimeve të disa prej ligjvënësve të Unionit se kursi jodemokratik i vendit e bën atë të papërshtatshëm për të drejtuar bllokun.
Por zyrtarët hungarezë kanë deklaruar se do ta kryejnë detyrën me ndershmëri.