U duk si një moment nervozizmi dhe sulmi të personalizuar, ai i akuzave të Kryetares së LSI Monika Kryemadhi, në drejtim të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj qoftë të enjten në sallën e seancës plenare të Parlamentit, por edhe më pas. Shumë shpejt, u kuptua se ishte një përplasje, që shkonte përtej emrave të përveçëm.
Në pamje të parë, debati ka marë shkas nga dosja e tenderave në dikasterin e Drejtësisë, për përiudhën kur është drejtuar nga ministrat e LSI, çështje për të cilën drejtësia ka vendosur nën akuzë disa ish zyrtarë të lartë. Në vijim, pritet që të meren në pyetje, edhe drejtues politikë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ministrja e Drejtësisë i ka konsideruar deklaratat e kryetares së LSI, si shantazh. Por Kryemadhi një ditë më pas, tha se “ne nuk e shantazhojmë zonjën Etilda Gjonaj por ajo nuk mund të marrë pozicionin e virgjëreshës, kur i dimë shumë mirë të gjithë pozicionet e saj”.
Gjonaj nga ana e saj sqaroi se “jam sulmuar familjarisht pas arrestimit të një grupi personash që dyshohet se janë përgjegjës për një sërë abuzimesh dhe shkeljesh ligjore me tenderat në Ministrinë e Drejtësisë. Sulmi vulgar ndaj meje nuk ishte rrufe në qiell të pastër dhe as nevojë e luftës politike me doza papërgjegjshmëri mbi ato që thuhen. Unë u sulmova, me qëllimin e vetëm, për të sulmuar drejtësinë”.
Eshtë interesante që të analizosh sjelljen publike të liderëve politikë shqiptarë, kur vjen puna tek adresimi që drejtësia u bën njerëzve të partive të tyre, në çështje të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Tjetër qasje ka për PS dhe Kryeministri Edi Rama, duke i hapur rrugën çdo rasti, për të mos u bërë pengesë për drejtësinë. Tjetër qasje ka PD e Lulzim Basha dhe LSI e Monika Kryemadhit, siç edhe po dëshmohet në këtë rast. Nga ana tjetër, kur qeveria nuk bën denoncime në Prokurori, ajo akuzohet se ka dështuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndaj duhet të heshti. Por, kur ka raste që çështjet vihen në lëvizje, si tani me tenderat e ministrisë së Drejtësisë, atëherë kemi kundëreagime të kësaj natyre nga opozita.
Vetë Gjonaj u shpreh se “mbështes prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe të thellojë hetimin për të vënë para përgjegjësisë, këdo që ka hedhur firmën në ato tendera. Në përgjigje të sulmeve që nuk do ndalen, i bëj thirrje drejtësisë të mos ndalet për të vënë para përgjegjësisë këto që ka abuzuar dhe prokurorisë, që të mos intimidohet nga kërcënimet dhe sulmet e kujtdo”.
Përdorimi i termit “virgjëreshë” në një betejë politike mes dy politikaneve femra në Shqipëri, të sjell në kujtesë, atë që njihet në histori si “Virgjëresha e Orleanit”. Zhan D’Ark ishte vetëm 17 vjeç, kur e bindi princin Charles për ta lejuar që të udhëhiqte sulmin për çlirimin e Orleansit. Nga dëshpërimi, pa asnjë shpresë për fitore, Princi nuk kishte ç’të humbiste dhe ia dha asaj komandën. Për çudinë e të gjithëve ajo e fitoi betejën. Princi Charles u bë Mbret i Francës dhe Zhan d’Ark u quajt “Virgjëresha e Orleansit”. Ajo kërkoi që lufta të vazhdonte, por gjeneralët për ta hequr qafe, ia dorëzuan forcave kundërshtare, që e gjykuan dhe e dënuan për herezi, duke e djegur më 1431, në turrën e druve.
Shqipëria nuk është Franca e 6 shekujve të shkuara dhe as mistrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, nuk është dhe as që e pretendon që të jetë një “Zhan D’Arkë” moderne. Por e sigurtë është se drejtësia e reformuar, është duke u kurorëzuar, si “Mbretëresha” reale e Shqipërisë së re. Këtë proces, nuk ka më asnjë forcë që ta ndalë. Gjon Juncaj, ish agjent i FBI dhe prokuror amerikan me origjinë shqiptare, që ka qëndruar për disa vite si ekspert i OPDAT në Tiranë, reformën në drejtësi e sheh “si një tren që po lëviz përpara. Ose do të jesh në tren ose do të jesh në shina përpara trenit. Por në finale, treni do lëvizë përpara.”
SHBA ka dhënë në këtë mënyrë, një mesazh shumë të qartë, për këdo që po mundohet ti dali përpara trenit të drejtësisë, që sa vjen dhe po e shton shpejtësinë. Sipas Juncaj “të gjithë ata persona që do të preken, do të bëjnë gjithçka që munden për ta penguar përparimin e reformës në drejtësi, përfshi këtu edhe njerëz që janë duke e mbështetur publikisht, por që në prapaskenë kanë plane të tjera.”FacebookTwitterGoogle+LinkedInPinterest