Enkelejd Alibeaj, bashkëdrejtues i koalicionit Djathtas për Zhvillim, thotë se Durrësi dhe gjithë Shqipëria është marrë peng nga krimi. Komentet i bëri gjatë një takimi që zhvilluan bashkë me Dashamir Shehi dhe drejtues të tjerë të koalicionit ”Djathtas për Zhvillim”.
Alibeaj tha se vota për koalicionin me numrin 9 në fletën e votimit, është votë për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar vlerat e familjes dhe të Perëndimit.
“Problematika që ka ky qytet, është problematika që ka gjithë Shqipëria. Ky qytet, qyteti më i rëndësishëm në aspektin historik dhe ekonomik, nuk mund të jetë pre e krimit. Kjo është një simptomë që ka mbuluar gjithë Shqipërinë, e rrjedhur drejtpërdrejt nga keq-qeverisja e Edi Ramës.
Ne sot jemi këtu për t’u thënë qytetarëve të Durrësit, se të vjetrën dhe të shkuarën duhet ta lënë mënjanë. Duhet të votojnë për veten e tyre, për njerëzit e tyre. Pra për qytetarë të Durrësit. Kjo është alternativa jonë, të votojnë numrin 9, të votojnë veten e tyre”, tha Alibeaj.
