Në 9 maj të 2008, Sali Berisha, asokohe kryeministër, i telefonon Bamir Topit, asokohe president, ku i ankohet dhe shpërthen kundër Kreshnik Spahiut, i cili ishte nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Detaje të bisedës telefonike i rrëfen ish-presidenti Bamir Topi, në librin e tij autobiografik me titull ‘Nocture” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti). Sipas Topit, Berisha i ankohej atij dhe akuzonte Kreshnik Spahiun se e kishte kthyer KLD në parti politike. Nga ana e tij, Topi i kishte kujtuar Berishës që të ruante një komunikim korrekt pasi po fliste me presidentin dhe se e kishte e vënë vetë Spahiun në atë post. “Ditën e Europës që kremtohej më 9 maj, kisha vendosur të dekretoj ligjin për ndryshimin e Kushtetutës, duke nisur edhe nga numri 115 votave kuvendare… Por kjo ditë do të përziente disa emocione. Gjatë rrugës për në zyrë vjen një telefonatë nga Saliu, i cili tashmë ishte çliruar nga makthi i zgjedhjeve të parakohshme dhe po e trashte më shumë zërin. Në krah të tij, por në mënyrë të heshtur, kishte Edi Ramen, përballë presidentin me të cilin do të vijonte një betejë të fortë për çështjen e institucioneve të pavarura.
-Alo, Saliu jam! – u dëgjua zëri i tij.
-Mirëmëngjesi, urdhëro! – ja preva shkurt.
-Shiko, Kreshnik Spahiu po e kthen KLD-në në parti politike! – vazhdoi duke përdorur sharje të rënda dhe vulgare në adresë të tij.
-Dëgjo, – i thashë, -jam në makinë dhe do t*ju telefonoj pas pak nga zyra. Me të hyrë në zyrë i telefonova duke i thënë:
-Së pari, po ju kujtoj nevojën e një komunikimi korrekt, për më tepër që sot jam këtu ku jam. Së dyti, Kreshnikun e keni zgjedhur ju dhe mos e paragjyko për asgjë, duke e sulmuar brutalisht. Nëse ke gjë për t’i thënë, thuaja drejtpërdrejt pa qenë nevoja të kalosh nëpërmjet meje. Së treti, sa të jem unë, do të punoj për pavarësinë e institucioneve!’. Më dëgjoi pa kundërshtuar”, shkruan Topi.
Topi rrëfen edhe disa momente komike kur Sali Berisha deshi t’u tregonte të vetëve se mund të ecte mbi biçikletë, në kushtet kur sipas Topit e kundërta ishte e vërtetë. Në orën dhjetë të asaj dite ishte parashikuar një xhiro me biçikleta së bashku me ambasadorin e BE-se z. Lohan, dhe një grup të rinjsh përgjatë bulevardit të Tiranës. Të veshur sportive filluam ecjen me biçikleta në bulevard, me një nostalgji nga sporti im i preferuan, filluar që në moshën 5-6 vjeçare. Në të njëjtën kohë, kryeministri dhe kryeparlamentarja ishin në nje aktivit ne hotel Tirana’. Para se të nisesha në ceremoninë e organizuar nga zyra e BE-se në hotel ‘Sheraton’ firmosa dekretin e ndryshimeve kushtetuese ndërkohë që informacionet nëpër televizione, po lajmëronin këtë gjë. Në pritje të njoftimit nga protokolli për të dalë nga Presidenca, një nga këshilltarët e mi, që kishte një të njohur në stafin e kryeministrit, më thotë diçka që kishte ndodhur tek ata, duke me ndryshuar si me magji, humorin, si dhe duke shkaktuar një të qeshur tek të gjithë.
-Shef, – më thotë këshilltarja – pas kthimit nga aktiviteti për në Kryeministri, ju ka parë ju në televizor gjatë xhiros me biçikletë është bërë keq dhe u është turrur të vetëve duke u thënë: ‘Pse nuk më njoftuat që të isha edhe unë në bulevard me biçikletë’. Aftësia për të mbuluar defektet dhe për të mbuluar komplekset e provincës e kishte nxjerrë qesharak në këtë rast. Dihej nga të gjithë se ai nuk dinte të ecte mbi biçikletë, por donte të demonstronte të kundërton. Ishte e njëjta gjë që ndodhte me rekordet e imagjinuara të notit, sa herë shkonte në Dhërmi, duke më kujtuar një film të famshëm francez me aktorin Luis de Fines, ‘Marrëzia e madhështisë'”.
CEREMONIA
Ish-presidenti Bamir Topi shkruan se pavarësisht përplasjeve, para mediave ai dhe Berisha hiqeshin sikur kishin komunikim normal. “Me këtë gjendje humori arrita në ceremoninë që zhvillohej te Sheratoni’, ku natyrisht ishim sërish afër duke bërë sikur bisedonim për të demonstruar para televizioneve që gjithçka ishte korrekte midis nesh. Vetëm pak ditë më vonë unë i paraqita Ku vendit të Shqipërisë dekretet për pesë vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në vijim të një procedure kushtetueses dhe të hapur, duke përzgjedhur emra të njohur të jurisprudencës dhe njerëzve që gëzonin respekt në komunitetin e gjyqtareve. Ndaj tyre filloi një sulm i paparë politik, pasi konsideroheshin njerëz të përzgjedhur nga unë dhe nuk mund të ishin të besuar për Sali Berishën, i cili kishte kritere të tjera përzgjedhjeje me kushtin themelor që duhej që gjithkush që do te merrte miratimin e tij politik të vendosej në shërbim të tij. Tashmë ngjarjet që implikonin pushtetin e tij po merrnin rrugën e gjykimit Dhe kështu ndodhi, njeriu që kishte marrë pushtet të fortë, i rrëzoi politikisht kandidaturat, pa asnjë motiv, duke thelluar në mënyrë përfundimtare krizën, e cila do të arrinte kulmin në janar të 2011, për një prishje pa kthim.
