Altin Çoku do të përballet me drejtësinë për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes që ndërmori 27-vjeçarja Sibela Abedini. Por Çoku edhe pse një person me aftësi të kufizuar, para 9 vitesh ka kërcënuar me jetë edhe mjekun e tij psikiatër G.S. duke i kërkuar para.
Çoku ishte pacient i G.Z, i cili shërbente si mjek neuro-psikiatër pranë spitalit të Laçit, ndërsa i akuzuari kishte probleme shëndetësore. Altin Çoku i ka kërkuar mjekut disa herë para në mënyrë verbale me anë të telefonit, mesazheve telefonike dhe me anë të letrave të shkruara. Në mesazhet kërcënuese, Altini i drejtohej mjekut se nëse nuk do t’i jepte para, do të kontaktonte me drejtorin e spitalit që të pushohej nga puna.
Llesh Ndoci i cili ka qenë drejtor spitali në vitin 2014, ka deklaruar asokohe se i ka shkuar në zyrë mjekut neuro-psikiatri G.S. dhe i ka thënë se e shqetësonte Altin Çoku. Ai deklaron se e ka thirrur Altinin dhe e ka ballafaquar, pasi Altini kishte pretendime se doktori nuk i shërbente me ilaçe dhe receta.
”Gjatë kohës që unë kam qenë drejtor spitali, në periudhën Maj-Qershor 2014, më ka ardhur në zyrë neuro-psikiatri G.S dhe më ka thënë se e shqetësonte një njeri. Me vështirësi më ka treguar se personi që e shqetësonte ishte shtetasi Altin Çoku. Mesa duket e shqetësonte për disa receta dhe ilaçe. Unë e kam thirrur Altin Çokun dhe i kam ballafaquar. Altini pretendonte se mjeku nuk i shërbente me ilaçe dhe receta. Doktor nuk më tha se i bëhej presion për ndonjë arsye tjetër. I thashë këtij të fundit se për çdo problem që do të kishte do të vinte të më informonte. Pas këtij rasti mua nuk më ka paraqitur asnjë problem. Më vonë nga njerëz të ndryshëm kam marrë vesh se Altini i ka marrë lekë doktorit”,-thuhet në dosje.