Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka pritur për dy ditë me radhë prokurorë shqiptarë në një trajnim të posaçëm mbi hetimin dhe ndjekjen penale të provave digjitale, nën kujdesin e Programit të Ndihmës së Sigurisë Diplomatike për Antiterrorin.
Me këtë rast, Ambasada Amerikane ndau fjalën e zëvendës shefes së misionit në detyrë, Kathryn Hammond, gjatë ceremonisë së diplomimit të pjesëmarrësve në kursin “Ndërgjegjësimi Kibernetik për Prokurorët”.
Hammond theksoi se luftërat moderne fillojnë online dhe gatishmëria kibernetike është thelbësore, pasi mbrojtja e aeroporteve, spitaleve, rrjeteve energjetike dhe të dhënave personale përbën një element të rëndësishëm të mbrojtjes kombëtare.
“Aktorët e këqij po përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara, çka e bën të domosdoshme që forcat e rendit dhe prokurorët të jenë një hap përpara këtyre kërcënimeve që evoluojnë me shpejtësi. Trajnimi juaj në këtë kurs ju ka përgatitur për të përballuar këto sfida drejtpërdrejt, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend në epokën digjitale,” deklaroi ajo.
Hammond vuri në dukje edhe ndihmën konkrete që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë pas sulmeve kibernetike të korrikut dhe shtatorit 2022. Ajo nënvizoi se SHBA ka ofruar miliona dollarë në ndihmë dhe ekspertizë kibernetike, duke theksuar angazhimin e palëkundur të Amerikës për të ndihmuar partnerët në forcimin e mbrojtjes së tyre kibernetike.



