Këtë të martë është mbajtur mbledhja online në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua drafti final për Amnistinë Penale. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se janë pranuar një pjesë e amendamenteve të deputetit demokrat Enkeljed Alibeaj dhe Bledion Nallbatit.
“Kemi qenë në kontakt me Komisionin e Ligjeve dhe na janë vënë në dispozicion propozimet. I kemi rakorduar ato që parashtroi edhe relatori. Dua ta nis shkurtimisht me amendamentet. Kjo do të shtrihet deri në datën 31/01/2024. Ky propozim është zgjedhur me gamën e personave të dënuar ose që janë në ndjekje penale.
Sigurisht është pranuar edhe për veprat që lidhen me tubimet dhe protestat, këtu kam parasysh veprat penale bazike që lidhjen me organizimet e protestave. Personat e armatosur në protestë që dënohen deri në 3 vite burg. Edhe këto kanë qenë pjesë propozime dhe amendamenteve që ka propozuar deputeti Eneklejd Alibeaj. Goditja për shkak të detyrës ne nuk e kemi pranuar. Për shkak të rrezikshmërisë dhe parimeve që ka amnistia ne nuk e kemi pranuar. Po ashtu edhe shkatërrimin e pronës nuk e kemi pranuar. Për këto vepra ne kemi mbajtur linjën që kishim”.
Alibeaj u shpreh se pranimi i amendamentit të Nallbatit, prek disa vija të kuqe të qeverisë. Ai gjithashtu theksoi se asnjë person që i përket kastës së politikanëve nuk duhet të përfitojnë nga amnistia. Ndërsa nga ana e tij Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se propozimi i bërë nga Alibeaj, duhet të qartësohet situata për të dënuarit dhe personat që janë në hetim dhe gjykim.