Nga 1 janari 2023, Shqipëria nis kultivimin e kanabisit mjekësor. Analisti Poli Hoxha e gjen të nxituar nismën e qeverisë. Për “Rtv Ora” ai thotë se nuk mund të flasësh për legalizim të kanabisit mjekësor kur e ke jashtë terësisht jashtë kontrollit atë ilegal. Ai u ndal te të ashtuquajturat ‘shtëpi bari’, ku tha se kultivuesit për ti shpëtuar kontrolleve policore kanë gjetur strehë brenda zonave VIP.
Hoxha: Janë shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme shtëpitë e barit. Nga informacionet që kam unë, të sigurta, po përdoren vila luksoze, zona ku rrinë dhe ministra dhe emra të rëndësishëm të medias, psh Kodra e Diellit. Kultivuesit kanë zgjedhur këto zona, marrin me qira ose i blejnë se janë më të paprekshme nga policia dhe survejimi, Zona VIP. E kam informacion nga brenda policisë dhe prokurorisë. Në disa raste dhe kanë ndërhyrë pavarësisht se nuk kanë bërë bujë që mos tu prishet emri i mirë zonës ku jetojnë VIP-at shqiptarë. Imagjinoni se çfarë ndodh në periferi, në shtëpi etj. Kemi parë dhe raste të arrestimeve të punonjësve të OSHEE. Mënyra më efikase është kapja përmes energjisë por këtu bashkëpunojnë të gjitha institucionet për keq.
Duke analizuar projektligjin e qeverisë, ai evidentoi pikërisht një pikë të tij që sipas tij “mban erë” dhe në një farë mënyrë përcakton dhe fatin e kësaj nisme.
Hoxha: Gjëja më e rëndë në këtë projektligj është se kompanitë që do licensohen nëse kapen me trafikim, penaliteti është gjoba. Edhe trafikimin këta nuk e kanë me burg, këtu me burg është përdoruesi. Adoleshentët kanë bërë burg për 1-2 cigare. Këta që do marrin licencat nëse trafikojnë do jenë trafikantë të mëdhenj dhe vetëm gjobiten, nuk burgosen.