Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se goditja me armë e godinës së televizionit “Top Channel” ishte një mesazh që kanë dashur të japin autorët. Ai tha se sot krimi është bërë një aktor kyç në politikë, ekonomi dhe në media.
“Kjo është një ngjarje që vetëm Zoti e pengoi që të mos kthehej në tragjedi të shumëfishtë. Rezultati që kanë dashur të japin autorët, nuk kanë qenë të vrarët, por një mesazh, që e kanë bërë.
Nëse më parë autori ishte shteti dhe segmentet e tij, sot kemi një simbiozë të çuditshme, biznese me media. Sot krimi është bërë një aktor kyç në politikë, ekonomi dhe në media. Krimi, ashtu siç është, është shndërruar në një pushtet më vete dhe që ka depërtuar në të gjitha pushtetet e tjera, si metastazat e kancerit.
Kjo luftohet me operacion për të hequr masën tumorale dhe besoj se politika është masa tumorale e këtij vendi, nga e cila devijon çdo e ligë që na ka ardhur deri tani. Klima e urrejtjes, gjuha e urrejtjes, gjuha e militarizuar e tyre. Nesër në vend të një bari, televizioni etj mund të jetë secili prej nesh”- tha Vangjeli.