E krijuar sëfundmi, Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një njësi e specializuar e policisë gjyqësore që heton veprat penale nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme, e veçanërisht do të hetojnë e ndjekë penalisht zyrtarë, qeveritarë dhe të tjerë që dyshohen që janë të përfshirë në krimin e organizuar dhe korrupsion.
Por edhe pse një njësi e ideuar që më shumë se forcën, të përdorë “trurin” për të hetuar zyrtarët e korruptuar dhe krimin e organizuar, më të mirët në testin logjik kanë mbetur jashtë.
Nga një analizë që ka bërë Tirananews, rezulton se shumë prej atyre që kanë fituar testin logjik, nuk kanë mundur që të kalojnë testin fizik. Në testin logjik u skualifikuan 30 kandidatë me pragun e deklaruar 12 pikë, ndërsa në testin fizik u skualifikuan 300 aplikantë pa u treguar se sa është pragu që duhet të arrinin.
Sikurse mund të shihni dhe nga kjo listë e siguruar nga Tirananews, ata që kanë dalë më të mirët në testin logjik (me shkronja të zeza), rezultojnë se janë skualifikuar në testin fizik. Ata që kanë kaluar edhe testin fizik (me shkronja të kuqe), rezultojnë se kanë dalë më dobët në testin logjik.
Me sa duket, edhe në njësinë më të re të specializuar për të luftuar veprat kriminale më të vështira për t’u zbardhur për shkak të kompleksitetit, do të kemi më shumë punonjës me “muskuj”, se sa nga ata me nivel inteligjence më të lartë. / L.T